Lënia jashtë liste e Myrto Uzuni shkaktoi jo pak debat në opinionin publik.
Emri i sulmuesit të Granadas ishte mes mungesave të mëdha si Cikalleshi apo Bare duke surprizuar të gjithë.
Babai i Myrtos, Artan Uzuni, ka thyer heshtjen me anë të një komenti në Facebook ku zbulon fakte me anë të statistikave personale të Uzunit i cili është i 7-ti në Europë për ndihmën në anën defansive.
“Ky është Uzuni që nuk mbron prapa. I 7-ti në Top 5 ligat më të forta të Europës dhe jo në ligat e Arabisë apo të Azisë. Respekte për ju, jeta vazhdon.
I urojmë suksese Kombëtares, Shqipëria mbi të gjitha”, shkruan ai.
Me këto statistika, ai hedh poshtë teorinë se Uzuni u la jashtë për zgjedhje taktike, duke qenë se Seferi preferohet për shkak të ndihmës që i sjell Mitajt në mbrojtje.
E megjithatë, tregohet ‘gentleman’ duke lënë gjithçka pas e duke i uruar më të mirën kuqezinjve në aventurën europiane.