Bajerni nis bisedimet me menaxherin e Fernandeshit Bajerni i Mynihut ka bërë një qasje për të nënshkruar me Bruno Fernandeshin. E ardhmja e mesfushorit në “Old Trafford” është e pasigurt përpara asaj që mund të jetë një verë e ngarkuar për “djajtë e kuq”.
Fernandesh, 29 vjeç, u bë kapiten i “djajve” nga Erik ten Hag vitin e kaluar, por ai mund të tundohet nga një largim, edhe pse e ka përsëritur shumë herë këto ditë se dëshiron që të qëndrojë në Mançester. Dhe Bajerni ka nisur bisedimet me agjentin e tij, Migel Pinjo, për një transferim veror sipas “O Jogo”. Raporti shton se Barcelona është gjithashtu e interesuar për nënshkrimin e mesfushorit dhe mund të hapë bisedimet së shpejti. “SunSport” kupton se kapiteni i Junajtid po konsideron një transferim në verë pas katër sezoneve e gjysmë në klub. Fernandesh çuditi klubin muajin e kaluar duke lënë të kuptohet se mund të largohej pas Europianit për një sfidë të re.
Fituesi i Kupës FA tha se do të priste derisa të përfundonte turneu përpara se të merrte një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij. Por ai tha gjithashtu se nëse klubi e do në skuadër, atëherë ai do të jetë i lumtur që të qëndrojë. Ai shkroi në një artikull për “The Players’ Tribune”: “Unë thjesht dua që pritshmëritë e mia të përshtaten me ato të klubit. Nëse shkoni të flisni me ndonjë tifoz, ata do t’ju thonë të njëjtën gjë. Ne duam të konkurrojmë për titullin. Ne duam të luajmë futboll në Champions League. Ne duam të jemi në finalet e kupave. Ky është standardi. Kjo është ajo që dua. Kjo është ajo që ju të gjithë meritoni”. Bajerni i Mynihut ka kërkuar të nisë bisedimet me yllin e Premier Ligës, ndërsa sapo transferoi nga Premier Liga menaxherin Vinsent Kompani, i cili u largua nga Bërnlej. Ndërkohë që rekordmenët e Gjermanisë kanë nënshkruar edhe me dy ish-lojtarë të Premier Ligës, si Herri Kejn dhe Erik Daier nga Totenhemi.
PANORAMASPORT.AL