Filip Lahm, në profilin e “Ambasadorit të Euro 2024”, ka hedhur vështrimin në disa pika gjatë rrëfimit në mediumin e “SID”.
Ai ka folur për ikonën e “Pancerave”, Franc Bekenbauer, duke e cilësuar si të pakrahasueshëm. Po ashtu ish-mbrojtësi i Bajernit e konsideron privilegj detyrën që i është caktuar, atë të ambasadorit në këtë Kampionatin Europian.
“Dëshira është e madha ta shikoj Gjermaninë me trofeun në duart, por detyra parësore e imja ka të bëjë me imazhin sa më të mirë që vendi ynë duhet të përcjellë në këtë eveniment. Privilegj dhe përgjegjësi të mbaj status të lartë. Të gjithë ëndërrojmë për një përrallë verore. Për nder të Bekenbauerit, ekipit të Nagelsman i kërkohet të shtyjnë drejt limiteve. Kam dëgjuar që më cilësojnë si pasuesi i Kaizerit në periudhën moderne. Përgjigja ime është e thjeshtë. Franc nuk ka të krahasuar më askënd. Kjo është e vërteta. Ai ishte në gjendje të mbulonte disa pozicione në fushë me të njëjtin intensitet. Më gjeni dikë që mund ta realizojë diçka të tillë?! Ja përse ne populli gjerman duhet të jemi me fat që Kaizeri ka lënë gjurmë të skalitura në histori, jo vetëm të futbollit vendës”, përfundoi Filip Lahm.
Në ceremoninë hapëse dhe mbyllëse të Europianit, është planifikuar që Lahm të shpalosë trofeun para publikut.
PANORAMASPORT.AL