“Italia nuk mund të jetë kështu”, kështu e definonin italianët paraqitjen e kombëtares së tyre në miqësoren pa gola me Turqinë. Të gjithë mbeten të shqetësuar pas ndeshjes, ku ekipi blu nxori në pah shumë problematika, të cilat nuk e bëjnë edhe aq të pamundur misionin e Kombëtares shqiptare më 15 qershor, mision që konsiston me marrjen e një rezultati pozitiv, përfshi këtu edhe barazimin.
Emri i tyre është i madh sepse ka edhe një histori të madhe mbrapa, por luhatjet kanë qenë të çuditshme, dy Botërore radhazi pa marrë pjesë, por me një Europian të fituar në mes, Italia e Luçiano Spaletit nuk ka gjetur veten e saj akoma dhe teksa mbeten pak ditë nga përballja me ekipin e Silvinjos, ende nuk është gjetur mënyra sesi kampionët në fuqi të Europës do të luajnë. Padyshim që kjo sjell edhe një notë optimizmi më shumë sa i përket shanseve që mund të kenë kuqezinjtë, referuar këtu edhe mungesave të shumta në radhët e italianëve dhe ajo që ka më shumë rëndësi, mungesa e një sulmuesi pykë të mirëfilltë që të shënojë golin.
Imobile nuk është, me shpresat që janë varur te Retegi dhe Skamaka, ky i fundit njihet mjaft mirë nga kapiteni kuqezi Berat Gjimshiti, pasi stërviten dhe luajnë bashkë tek Atalanta. Nga ana tjetër, Ismajli po ashtu është përballur si me Skamakën, Kiezën, Retegin dhe Raspadorin dhe e njëjta gjë vlen edhe për Elseid Hysajn që ka një eksperiencë të gjatë mbi supe. Megjithatë, në datën 9 qershor, “Axurrët” do të përballen në një miqësore me Bosnjën, si një test final para ndeshjes me Shqipërinë, e cila do të jetë e pesta në historinë mes dy kombëtareve.
PANORAMASPORT.AL