Kroacia tregoi forcë përballë Portugalisë, edhe pse ishte vetëm një miqësore. E fundit përpara nisjes së Euro 2024.
Trajneri Zlatko Dalic vlerësoi performancën e djemve të tij në deklaratën e dhënë pas fitores 2-1 në Lisbonë.
“Të fitosh në fushën e Portugalisë na bën shumë mirë për vetëbesimin. Ata janë një skuadër e madhe, ky është shkaku pse kjo fitore merr shumë vlera.
Jemi në rrugën e duhur, por duhet të jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që do të hasim përballë Spanjës”, u shpreh Dalic.
Skuadra e drejtuar prej tij, do të debutojë në Gjermani 2024 përballë Spanjën. Në datën 15 qershor në “Olympiastadion” të Berlinit.
57-vjeçari, i cili vite më parë provoi edhe një aventurë të shkurtër në Superiore me Dinamon, qëndron në pankinën e kombëtares së vendit të tij prej vitit 2017.
Kroacia është një nga kundërshtarët e kombëtares shqiptare në Grupin B të Euro 2024, ku bëjnë pjesë edhe Italia e Spanja.
Shqipëri-Kroaci është programuar për datën 19 qershor, në “Volksparkstadion”, Hamburg.