Ka vende, ose më mi rë stadiume simbol të karrierës së futbollistëve, pasi janë ato që më pas bëhen edhe përmbledhje e parabolës së karrierës së tyre. Të shtunën në mbrëmje, Nikolo Barela, ndoshta ka zgjedhur përfundimisht të tijin:
Dortmundin, ose “Vestfalenstadion” për romantikët, që nuk i pëlqejnë emrat komercialë të kohëve të sotme. Një tempull i tifozërisë, në zemër të Gjermanisë. Maksimumi për një që nuk e ka fshehur kurrë admirimin e tij për një klub si Bajerni i Mynihut dhe kjo sepse sipas protagonistit janë kulti i disiplinës së fortë, pasqyrimi i një legjende të pavdekshme gjermane dhe idhulli si Lotar Mateus, që gjithashtu ka veshur edhe fanellën e Interit.
EVOLUIMI – Duke mbetur te Dortmundi, ai në atë arenë kishte debutuar në nëntor 2019, me Interin, kundër Borusias, me Barelën që ishte ende një projekt për t’u bërë kampioni që të gjithë njohin sot, ndonëse që atëherë kishte arritur që të regjistronte edhe 10 prezenca me Kombëtaren e Italisë, por mbi të gjitha i kishte tërhequr vëmendjen edhe një mjeshtri si Arrigo Saki. Dhe djaloshi, ai që në vegjëli thirrej nga të gjithë si “picirruku”, vërtet nuk bindte totalisht, duke qenë se shpesh në fushë dukej pak i disiplinuar dhe këtë Konte, që atë ndeshje me Dortmundin e humbi me përmbysje, nga 0-2 në 3-2, nuk nguroi që t’i tërheqë veshin mesfushorit: “Në ndeshjet e Champions-it ka shumë situata të vështira për t’u menaxhuar. Po unë këtu tek Interi kujt t’ia kërkoj, Barelës që kemi blerë nga Kaljari?”.
“PRINCI I KALTËR” – Por duke njohur Konten kuptohej se ajo ishte një batutë e momentit, sepse sot, çdo trajner, jo vetëm Konte, aq më tepër Spaleti, mund t’i kërkojë Barelës gjithçka, ose më saktë, pikërisht atë që u pa ndaj Shqipërisë në “Vestfalenstadion”, ku Nikolo i dha një sens të qartë evoluimit të tij global. Të shtunën ai ishte lojtar më modern, më total, më europiani, më lideri mes “Axurrëve”, ose shkurtimisht, Barela është lojtari plus i kësaj Italie. Njësoj si princi i kaltër i përrallave, ai që nuk pranon të ndalet kurrë, ai që mposht çdo bishë apo kuçedër që mund t’i dalë përpara, ai që me shpatën e tij nuk pranon që të ndalet as përpara një problemi muskulor delikat dhe të rrezikshëm, pasi kombi i tij kishte nevojë për të. Dhe pasi bëri detyrën, të gjithë ishin në këmbë për të, ndërkohë që dhurata për “trimërinë” e tij ishte një puthje në kokë nga ana e Spaletit, njësoj siç bëhet me fëmijët, një shenjë falënderimi që nuk kishte nevojë për komente. Gjithsesi, për të treguar në fund të gjithë krenarinë dhe përulësinë e tij, ishte Barela që në fund të ndeshjes falënderoi të gjithë: “Më bënë të gjithë që të ndihem i rëndësishëm. I falënderoj që më pritën”. Por thjesht Barela i tillë është, nuk është se e bënë të ndihet i rëndësishëm, sepse dy miqësoret kundër Turqisë dhe Bosnjës e treguan se zemra e Italisë, princi i betejave të Italisë është pikërisht ai dhe vetëm ai.
NUMRA UNIVERSALË – Pasi ka punuar shumë fort në vitet e fundit, tashmë Barela duket një tip roboti prej 57 ndeshjesh sezonale, por i udhëhequr nga diçka më e madhe sesa një inteligjencë artificiale. Intensiteti që tashmë vë në fushë, ajo që dikur ishte pika e tij e dobët, tashmë për të është thjesht mënyra e të qëndruarit normalisht në fushë. Një ide për ta jetuar rolin siç nevojitet në futbollin e sotëm modern, një lojtar që përveç se diti të “kafshojë” 5 herë Shqipërinë, në 5 duele të forta fizike, Barela ofroi edhe 100 për qind saktësi në ndalimin e 5 aksioneve në rrëshqitje e sipër dhe 97.2 për qind e pasimeve të sakta (105 nga 108 të ekzekutuara), në vetëm 75 minuta lojë. Shkurt, tani Nikolo Barela është një lojtar universal.
PANORAMASPORT.AL