Shpresoja të isha në listën e Europianit”, futbollisti kuqezi analizon Shqipërinë: Gabuam duke u tërhequr me Italinë! Nëse luajmë pa frikë dhe respektuar shumë Kroacinë…
Trajneri Silvinjo vendosi të mos grumbullonte qendërmbrojtësin Jon Mersinaj në Euro 2024 me Shqipërinë, edhe pse i kishte çuar një ftesë, duke e lënë në listë pritje futbollistin kuqezi. Ndaj ky i fundit tashmë po shijon pushimet, por pa e hequr vëmendjen nga ajo që po bëjnë shokët e tij në Gjermani.
“Edhe pse shpresoja të isha në mesin e 26 futbollistëve shqiptarë në Europian, nuk mora ftesë. Nuk jam i zhgënjyer, isha afër, por trajneri gjykoi se ka lojtarë më të mirë dhe do të pres një mundësi tjetër. Nuk mund të ndryshoj asgjë, ndaj nuk kam pse të zhgënjehem”, tha fillimisht Mersinaj.
Ai më pas analizoi paraqitjen e kuqezinjve ndaj Italisë, duke theksuar se skuadra e drejtuar nga Silvinjo kishte gabuar duke u tërhequr shumë mbrapa.
“Filloi shkëlqyeshëm, shënuam gol në sekondën e 23-të, por më pas u bë një gabim, nuk duhej të tërhiqeshim. Italia shkoi përpara dhunshëm, italianët u lejuan të krijonin lojë dhe raste. Dhe kur është kështu, atëherë del në pah cilësia, kështu që pas 15 minutash Italia e ktheu rezultatin me dy gola dhe kaloi në epërsi. Nuk do të doja të keqkuptohesha, sepse Italia është vërtet e fortë, është një ekip plot me individë të mëdhenj, por gjithsesi më duket se Shqipëria u tërhoq shumë dhe ua la lojën italianëve.
Forca më e madhe e Shqipërisë? Të jemi bashkë, patjetër! Gjithmonë kur luanim mirë, ishim një ekip i vërtetë, i ekuilibruar, i cili më pas nxirrte në pah individët më të mirë. Në sulm kemi lojtarë të shpejtë dhe teknikisht të fortë, të cilët shpesh shënojnë gola dhe vendosin ndeshje në kundërsulme.
Mesfusha bëri një lojë të mirë. Të tre dinë të luajnë, dhe janë edhe punëtorë të mëdhenj, nuk ndalen deri në minutën e fundit, janë gjithmonë në vrapim, janë të përgjegjshëm dhe të disiplinuar. Ata po mundohen shumë, si në fund të fundit, e gjithë skuadra shqiptare. Nuk ka lojtar që të mos bëjë punën e tij dhe të lagë fanellën me djersë. Të gjithë japin maksimumin e tyre, kështu do të jetë edhe ndaj Kroacisë”, tha qendërmbrojtësi, i cili paralajmëroi kroatët.
“Pres një ndeshje të mirë, cilësore dhe interesante! Kroacia sigurisht ka një avantazh të vogël, është favorit i lehtë, por do të duhet të luajë shumë mirë për të fituar ndaj Shqipërisë. Bashkatdhetarët e mi sigurisht që do të luftojnë sa më shumë, jam i bindur se do të jenë një kundërshtar i fortë. Nëse Shqipëria luan pa frikë dhe pa respektuar shumë kundërshtarin, Kroacia do ta pësojë. Dhe skuadra që bën më pak gabime dhe është më e aftë në ekzekutim do të fitojë. Në kompeticionet si kjo, shanset nuk duhen humbur, si Kroacia i humbi kundër Spanjës”, tha për “Jutarnji” mbrojtësi i cili ka 6 vite që luan me Lokomotiva Zagreb.