UEFA ka ndëshkuar Federatën Kroate të Futbollit për sjelljen e tifozëve të saj gjatë ndeshjes Kroaci-Spanjë e vlefshme për grupin B, e cila u luajt të shtunën e kaluar. Federata Kroate është gjobitur me më shumë se 87 mijë euro për hedhjen e gotave plastike në fushë dhe ndezjen e fishekzjarreve nga ana e tifozëve të vet.
UEFA ka nisur të marrë masat e para, pas evidentimit të rasteve të sjelljeve të gabuara të tifozëve gjatë ndeshjeve të evropianit. Konkretisht, Komisioni Disiplinës i UEFA-s, ka vendosur të gjobisë federatën kroate të futbollit me më shumë 87 mijë euro. 63,875 euro për hedhjen e gotave plastike nga tifozët e saj, dhe 24 mijë euro të tjera për ndezjen e flakadanëve, gjatë ndeshjes së të shtunës me Spanjën. Me këtë rast me anë të një deklarate, federata u bën thirrje tifozëve të vet që të jenë më të përmbajtur.
“Dëshirojmë të falenderojmë tifozët për numrin rekord të pranishëm në stadium dhe që brohoritët skuadrën kroate gjatë ndeshjes në Berlin, për mbështetjen pa asnjë lloj racizmi apo diskriminimi. Por kërkojmë që tifozët që të përmbahen nga hedhja e objekteve dhe ndezja e flakadanëve në ndeshjet e ardhshme, në mënyrë që atmosfera e mrekullueshme të mos errësohet nga këto lloj sanksionesh”. Një goditje kjo për ekipin e trajnerit Daliç, i cili udhëtoi drejt Hamburgut për përballjen e së mërkurës me Shqipërinë.