Italia përgatitet për ndeshjen e dytë në Grupin B të Euro 2024, teksa axurrët përballen me Spanjën.
Të dyja skuadrat mbërrijnë në kuotën e tre pikëve dhe do të tentojnë fitoren e radhës për të hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit në 1/8-tat e turneut që zhvillohet në Gjermani.
Para ndeshjes me iberikasit, në konferencë për shtyp foli trajneri i Italisë, Luciano Spalletti. Ky i fundit, paralajmëroi se Spanjës do t’i mësojnë shkollën italiane të futbollit ndërsa shtoi se lojtarët e tij nuk do të kenë frikë që në fushë të bëhen “pis”.
“Spanja është shndërruar tashmë në një shkollë futbolli sepse prej vitesh aplikon një stil të caktuar, ndërkohë që edhe ne duhet të kemi atë dëshirën e “çmendur” për të treguar se edhe shkolla jonë vlen shumë.
Taktika që do të ndjekim? Ne vishemi me Armani, por nuk dua që lojtarët të dalin me ndonjë peng nga fusha.
Nuk duhet që të kemi frikë edhe të bëhemi “pis” nëse është nevoja. Duhet të tregojmë atë identitetin taktik që e kemi pasur gjithmonë”, u shpreh Spalletti.