Në pritje të nisjes së përgatitjeve në javën e dytë të korrikut, Antonio Conte vijon të punojë për të ndërtuar Napolin e tij për sezonin e ri, teksa emrat që qarkullojnë në merkato vijojnë të mbetet të njëjtët.
Kështu trajneri i mirënjohur italian dëshiron të marrë me vete në Napoli sulmuesin belg Romelu Lukaku, me të cilin punoi edhe te Interi për dy sezone, por problem mbetet pretendimi i Chelseat prej 44 milionë eurosh për kartonin e tij.
Kjo shifër është konsideruar e lartë nga Napoli, që është ofruar ta marrë në huazim me detyrim blerjeje për rreth 25-30 milionë euro, por situata mund të zhbllokohet edhe nga vetë Lukaku, nëse belgu pranon të ulë pagën për t’u bashkuar me Conten.
Një tjetër emër që trajneri është angazhuar ta sjellë në Napoli, është edhe Leonardo Spinnazzola, anësori i majtë i Romës, që prej 1 korrikut do të jetë futbollist i lirë, pasi i përfundon kontrata me kryeqytetasit.
Palët kanë nisur negociatat dhe Spinnazzola joshet nga ideja për të punuar me Conten, teksa zyrtarizimi i marrëveshjes mund të vijë që në ditët e para të muajit korrik.
Conte ka kërkuar gjithashtu edhe një mbrojtës qendre, të përshtatshëm për të luajtur në rreshtimin me tre, teksa emrat në krye të listës janë dy, Alessandro Buongiorno dhe Mario Hermoso.
I pari ka shkëlqyer te Torino dhe kushton rreth 40 milionë euro, teksa vlerësohet jo vetëm për fakti në është italian, por edhe për moshën e tij.
Nga ana tjetër Hermoso ka një CV të pasur, pasi është pjesë e Atletico Madrid prej disa sezonesh dhe për më tepër, mund të transferohej në Napoli me parametra zero, pasi i ka përfunduar kontrata me spanjollët.