Teksa i ati duket se ka takuar përfaqësues të Al-Hilalit për ta transferuar për 175 milionë euro në kampionatin arab, Rafael Leao e ka mendjen vetëm te Portugalia, konkretisht te ndeshja e sotme kundër Turqisë, e programuar për në ora 18:00.
Pikërisht sulmuesi i Milanit ka prezantuar sfidën në konferencë për shtyp duke deklaruar: “Jam përgatitur mendërisht sepse Europiani ka qenë gjithmonë ëndrra dhe synimi im. Jam krenar që garoj me fanellën e Kombëtares.
Mendoj se kam pasur një pjesë të parë të mirë, jam munduar të krijoj raste dhe të bëj diferencën me stilin tim të lojës. Në pjesën e dytë nuk e mbaja më topin dhe trajneri më zëvendësoi”.
Zakonisht, konferencat për shtyp janë një sinjal pranie mes titullarëve, megjithatë Leao nuk jep indicie në lidhje me minutazhin e tij kundër turqve. “Nuk e di nëse do të jem titullar. Jam gati për stol ose të jem në formacion. E di që ka lojtarë me cilësi të lartë në kombëtare dhe çdokush do të mund të bëjnë diferencën.
Edhe Turqia ka cilësi. Çalhanoglu bën diferencën, kam luajtur me të në Milan dhe ai ka shumë cilësi dhe është i rrezikshëm, pastaj Gyler, i cili luan për Real Madridin dhe që në moshën e tij tashmë mund të bëjë diferencën”, përfundoi portugezi.