Ballkani ka shënuar sukses duke arritur që të kualifikohet në kampanjën evropiane të Ligës së Kampionëve.
Ndeshjet fillojnë që nga e marta, e Ballkani do të ballafaqohet me kampionin e Andorrës, UE Santa Coloma.
E klubi nga Kosova ka dal me një thirrje për tifozët e tij:
Të dashur tifozë të kampionit të Kosovës,
Ashtu siç tashmë është e ditur, kampanjën evropiane në Ligën e Kampionëve e nisim të martën e 9 korrikut.
Përball nesh kemi kampionin e Andorrës, UE Santa Coloma. Kjo skuadër është më e suksesshmja në shtetin ku garon, pasi 13 herë ka fituar titullin kampion, 10 triumfe ka në Kupë e 7 në Superkupë.
Ballafaqimi me ne është i treti për këtë klub sa i përket ndeshjeve me skuadra të Kosovës, pasi më parë ishte përballur në fazën para-kualifikuese me Dritën dhe Feronikelin.
Përbërja aktuale e skuadrës së tyre është kryesisht me lojtarë spanjoll, plot 18, derisa vetëm 3 futbollistë janë nga Andorra.
“Estadi Comunal d’Andorra la Vella” është një stadium modest me 1249 ulëse, ku Santa Coloma zhvillon ndeshjet në Ligën e tyre, derisa në Evropë, shfrytëzohet stadiumi kombëtar “Andorra la Vella” kapaciteti i të cilit është 3306 vende.
Forma më e lartë në historinë e këtij klubi, ishte në vitin e kaluar, ku në kualifikimet për UEFA Europa Conference League, arritën deri në raundin e tretë.
Na priftë e mbara!