Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka komentuar shortin e raundit të parë kualifikues të Ligës së Evropës.
Llapjanët aventurën në fazën kualifikuese për në Ligën e Evropës e nisin kundër skuadrës polake, Wisla Krakow.
Në një intervistë për KosovaPress, trajneri Batatina e cilësoi “gjigant në shtetin e vetë”, por që edhe skuadra polake do të përballet me një kundërshtar shumë të fortë siç është Llapi.
“Përballemi ndaj një skuadre shumë të fortë, por edhe ajo skuadër do të përballet ndaj një skuadre shumë të fortë siç është Llapi. Mendoj dy skuadra të cilat të dyja kanë traditë në futbollin në vendin e tyre, edhe Llapi edhe skuadra e Krakow. E dimë që është një skuadër që ka qenë gjigant në shtetin e vet dhe fitues i Kupës dhe tregon që me të vërtetë ka skuadër të mirë…(01:25) Nuk do të jetë e lehtë, do të jetë e vështirë, sepse përballemi me një skuadër shumë të fortë, një skuadër me emër të madh, por gjithmonë mendoj që bëhesh skuadër e madhe nëse luan me skuadra të mëdha. Asnjëherë nuk bëhesh skuadër e mirë dhe e fortë kur ballafaqohesh me kundërshtarë të dobët”, tha Batatina.
Batatina ka shprehur bindjen e tij se Llapi do të kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.
“Gjëja më e rëndësishme për neve është ta bëjmë maksimumin ta kalojmë ndeshjen e parë. Nëse e kalojmë ndeshjen e parë ju garantoj që gjasat janë për me hy në fazën e grupeve në Ligën e Evropës… (05:44) Nuk kanë diçka ndonjë cilësi, ndonjë kualitet më shumë skuadra kundërshtare që ne do të luajmë, në asnjë aspekt. Kemi analizuar menjëherë kundërshtarin, me vlerën të cilën e ka, me vlerën e lojtarëve të cilën e ka, me moshën e lojtarëve të cilën e ka dhe mendoj që jemi dy skuadra të cilat jemi të përafërta me cilësi, jemi të përafërt edhe me vlera në treg, por jemi edhe të përafërt edhe me kontingjentin e lojtarëve që i kemi”, tha Batatina.
Duke folur për kampionatin e Kosovës në futboll, trajneri Batatina thotë se ky do të jetë viti ku Llapi do të shpallet kampion.
“Gjithmonë vetë organizimi i klubit edhe lojtarët që ka klubi me kontingjentin të cilin e ka krijuar, mendoj që nuk të lë të mendosh ndryshe përveç luftës për titull të kampionit. Ne kot mund të themi se s’po luftojmë për titull, por Llapi gjithmonë do të luftojë për kreun e tabelës. Llapit iu ka nevojitur të paktën të bëjë një hap tutje që të jetë në hap më shumë se skuadrat në elitën e futbollit të Kosovës. Mendoj që Llapi ka bërë një hap të jashtëzakonshëm, duke e ditur se është kampion me infrastrukturë sportive, që është gjëja bazike për një skuadër. Nëse e ke infrastrukturën sportive sikurse e ka Llapi dhe organizimin të cilin e ka krijuar Llapi, mendoj që nuk ka dyshim se Llapi do të luftojë për titull të kampionit… (12:03) Pasi kemi qenë shumë afër këtë vit, ndoshta me një hap për t’u bërë kampion, besoj se ky do të jetë vit i Llapit”, tha Batatina.
Batatina ka dalë edhe me një mesazh për skuadrat e Superligës së Kosovës.
“Para se të mendoni për ta fituar titullin, mendoni për ta bërë shtëpinë. Disa skuadra ende pa e bë shtëpinë, po mendojnë të arrijnë titullin. Duhet ta kesh shtëpinë, infrastrukturën të paktën që skuadrat tona nuk mund të bëhemi të mira, të bëjmë transferime të mira. Llapi nuk kishte pasur mundësi të bëjë një transferim të Valmir Veliut, as të Mirlind Dakut, as të Muhamet Hysenit, pa e pasur një infrastrukturë sikurse e ka… Prandaj rivalëve apo skuadrave iu them që të mendojnë më shumë tek infrastruktura. Në momentin që e bëjnë infrastrukturën e mirë sportive dhe e kemi të gjithë 10 skuadrat një infrastrukturë çfarë e ka Llapi, do të rritet niveli, kualiteti, shikueshmëria që është shumë me rëndësi të kemi shikues në tribuna, sepse futbolli luhet për shikues, atëherë do të jetë një rivalitet shumë i fortë”, tha Batatina.
Ndeshjen e parë në raundin e parë kualifikues së Ligës së Evropës kundër Wisla Krakow skuadra e Llapit do ta zhvillojë si vendas më 11 korrik, kurse ndeshjen e kthimit më 18 korrik. Nëse Llapi e eliminon skuadrën polake, në raundin e dytë do të përballet me skuadrën e njohur austriake SK Rapid Wien.