Kombëtarja holan deze e mbyll fazën e grupeve të martën me ndeshjen kundër Austrisë, ndërkohë që Matajs de Ligt është duke luftuar me rolin e tij rezervë me kombëtaren holandeze. Mbrojtësi 24-vjeçar thotë se është duke folur me një psikolog për pozicionin e tij brenda kombëtares pasi trajneri Ronald Kuman ka zgjedhur Van Dajkun dhe De Vrajin në zemër të mbrojtjes për këtë Kampionat Europian, duke e detyruar mbrojtësin e Bajernit të qëndrojë në stol.
Një tjetër goditje për lojtarin e Bajernit, pasi ishte jashtë formacioni edhe në Kupën e Botës. De Ligt e pati nisur si titullar ndeshjen hapëse kundër Senegalit në Katar (fitore 2-0), por më pas nuk luajti më: “Kisha ndjesinë se isha në formë të mirë dhe këtë e tregova edhe në klubin tim gjatë gjysmës së dytë të sezonit. Do të kisha dashur të vazhdoja atë linjë, por mënyra si rrodhën ngjarjet më bënë të mendoja se kisha pasur një fillim të gabuar të atij turneu.
PSIKOLOGU – De Ligt flet me të afërmit e tij për situatën të cilën së fundmi ka nisur ta analizojë edhe me një psikolog . “Këto lloj momentesh mund të jenë të vështira. Duke folur për to, duket sikur gjithçka bëhet më të lehtë dhe mund ta përdorni energjinë në fushë në vend që ta shpenzoni në ato lloj mendimesh”, ka shpjeguar holandezi në intervistën për “APB”. Pavarësisht rolit të tij rezervë, De Ligt mbetet i qetë dhe falë përvojës vetjake dhe asaj me psikologun, ndihet gati në rast se do t’i jepet mundësia, ndaj edhe shprehet: “Gjatë karrierës sime futbollistike kam mësuar se fillimi i një turneu apo sezonit është argëtues, por rëndësia shpesh ka të bëjë me fundin. Prandaj jam relativisht i qetë. Gjithashtu kam ndjenjën se diçka do të ndodhë në këtë turne që do të më bëjë të mund të jem ende i rëndësishëm për Holandën”.
“DELJA E ZEZË” – Në këtë Europian, De Ligt synon të heqë qafe “imazhin negativa” me kombëtaren holandeze. Ai bëri debutimin e tij të pafat kundër Bullgarisë në vitin 2017 në moshën 17- vjeçare. Tre vjet më parë, De Ligt ishte ende “delja e zezë” në kombëtaren holandeze kur u shpall përgjegjës për eliminimin në 1/8-at e atij turneu kundër Republikës Çeke. Disfata 2-0 dhe një karton i kuq pas një prekjeje me dorë. “Disa njerëz më cilësojnë si “delja e zezë” e skuadrës. Kam luajtur në kombëtaren holandeze 45 herë, prandaj besoj se në momente të rëndësishme mund t’i vlerësoj situatat më me qetësi. Kam më shumë përvojë. Kam mësuar gjithashtu një leksion të rëndësishëm, duhet të bëj atë që bëj gjithmonë në vend që të përshtatem ose të tentoj atë që njerëzit presin nga unë”.
PANORAMASPORT.AL