Tomas Brdariç ka qenë protagonisti i parashikimit të sotëm në një faqe të njohur bastesh në Gjermani, sa i përket ndeshjeve të grupit të Shqipërisë, duke u ndalur në një analizë të gjatë të lojës së kuqezinjve. Trajneri gjerman i Vllaznisë ka nxjerrë në pah meritat e ekipit të drejtuar nga Silvinjo, por edhe problemet dhe çfarë shpreson të ndryshojë, që skuadra të vazhdojë të rritet. Por në fund, ai ka parashikuar rezultatet e ndeshjeve që në fakt eliminojnë kuqezinjtë.
“A beson Shqipëria te kualifikimi? Padyshim! Këtu ka shumë eufori, ashtu siç mendoj kudo në Europë, të gjithë po ndjekin Europianin, është me të vërtetë e bukur të shohësh se sa i ekzaltuar është një vend si ky. Mund ta shihje që në dy ndeshjet e para se ka shumë potencial.
Me golin e shpejtë të Bajramit ndaj Italisë, gjithçka ndoshta ishte shumë e shpejtë për shqiptarët, të cilët nuk ditën të menaxhonin këtë epërsi dhe për fat të keq nuk arritën ta ruanin. Në ndeshjen e dytë ndaj Kroacisë, ata e meritonin barazimin dhe ndaj kanë shpresa që të marrin diçka ndaj Spanjës.
Ata praktikisht luajnë një 4-3-3 ose 4-1-4-1, në një sistem shumë të qëndrueshëm, shpesh edhe me 5 mbrapa. Por duhet theksuar se ata kanë mësuar nga ndeshja ndaj Italisë, ku qëndruan shumë mbrapa dhe me pak mbajtje topi. Ata ishin paksa edhe me fat në ndeshjen e dytë, kur gjetën përsëri ritmin. Mendoj se ata duhet të bëhen më guximtarë. Ata kanë lojtarë të mirë, thuajse të gjithë luajnë në skuadra të mira europiane, me shumë eksperiencë dhe të mbushur me talente individuale.
Ata padyshim që do të luajë ndaj Spanjës në kundërsulm. E kam të vështirë ta imagjinoj Shqipërinë duke mbajtur gjatë topin si 70-30 apo më shumë. Dhe pastaj ata do të duhet të shfrytëzojnë një apo dy raste që do të krijojnë në kundërsulm, ndoshta edhe nga goditjet standarte. Ndoshta ashtu siç bënë zviceranët ndaj Gjermanisë, të shënojnë një gol dhe të mbrohen deri në fund. Siç e dimë në futboll, një gol mund të pësohet gjithmonë dhe pastaj çdo gjë për të cilën ke punuar bie poshtë. Në fund të ditës, vetëm rezultati ka rëndësi.
Meqë i njoh shqiptarët mirë, ata kanë lojtarë teknikisht shumë të fortë dhe janë rritur shumë në vitet e fundit. Silvinjo, trajneri, i lejon që të luajnë një futboll më aktiv, me pak më shumë mbajtje topi. Për fat të keq, nuk ishte kështu me trajnerin e mëparshëm, ku ata luanin 5-4-1, shumë të tërhequr dhe vetëm me kundërsulme.
Tani është më tërheqës, ata dalin më shpesh para portës, sidomos në krahë. Ka në çdo pozicion lojtarë të cilët mund të luajnë siç duhet në situata 1 kundër 1. Ata kanë një lojtar shumë të mirë para portës si Broja, i cili nuk ka treguar shumë te Fullhemi këtë vit, por ka një cilësi të caktuar dhe është gjithmonë i gatshëm për të shënuar.
Unë shpresoj që të jenë mirë në prapavijë, të ndryshojnë krah mirë, në një fazë ku kanë mirë mbajtje topi, ata do të jenë me fat që të kenë ritmin në krahun e tyre kur të krijojnë raste shënimi. Brenda 90 minutave, ne shpresojmë që të marrim të paktën një pikë dhe të përfundojmë në vendin e tretë.
Do të nevojiten gjithashtu lojtarë të shpejtë përpara dhe Broja është një sulmues. Me Laçin dhe Manajn, Seferin dhe Asanin, apo Bajramin në të majtën i cili kalon si një numër 8, gjëja më e rëndësishme është të përdorin hapësirat. Pasi padyshim që do të ketë të tilla sot.
Broja është një lloj lojtari më flegmatik, lojtari i zonës, i cili padyshim bën diferencën. Nëse ke hapësirë pas mbrojtjes, por nuk mund të depërtosh aty, atëherë nuk është e kohës. Të nevojiten të dyja, lojtarë të shpejtë tranziti dhe mbajtje topi. Ata që bëjnë më të mirën sa i përket balancës janë ata që zhvillojnë më shumë futbollin si skuadër.
Është e vështirë të bësh një parashikim sot, pasi është një grup shumë i balancuar. Sigurisht unë shpresoj që shqiptarët të marrin të paktën një pikë dhe që euforia të qëndrojë e lartë.
Spanja kundër Shqipërisë, edhe pse është pak e mundshme, 1-1. Dhe besoj se Kroacia do të mundë Italinë 2-1”, tha Brdariç në parashikimin e tij që do të shihte kuqezinjtë të fundit në grup.