Nga Bahri Cani, Deutsche Welle
Krenar me 10 ditët e paharrueshme të kuqezinjve në Gjermani!. Sot me siguri që akoma jemi paksa të mërzitur. Edhe Adriani dhe unë jemi të mërzitur që nuk do të vazhdojmë garat dhe tifozllëkun, por sot jemi krenarë.
Kemi shpresuar ndosha të pamundurën, sepse nga fillimi është ditur që Spanja, Italia dhe Kroacia janë kundërshtarë tepër të fortë, me tituj e nëntituj botërorë e evropianë, me disa nga lojtarët më të mirë në botë në radhët e tyre.
Ndoshta kemi qenë jorealist me dëshirat tona, por vetëm ata që kanë synime të mëdha mund t’i arrijnë ato një ditë. E mira është pra që ne vërtet kemi besuar se mund të mundim edhe këto ekipe.
Shikuar nga zhvillimet e ndeshjeve, kjo vërtet edhe ka mundur të ndodhë, sepse në dy ndeshje Shqipëria ishte në epërsi, ndërsa me Spanjën mbajti ndeshjen “të hapur” deri në momentet e fundit.
Por Ky kampionat na solli diçka shumë, shumë me rëndësi – kemi vënë standarte të reja në futboll, ku nuk është më qëllimi vetëm të jesh me më të mirët, por të garosh barabar me ta dhe të shpresosh fitoren. E ky është një sukses shumë i madh. Spanja, Italia dhe Kroacia nuk kanë qenë të sigurt në asnjë moment se do ta mundin lehtë Shqipërinë…
Ndërsa publiku: Bravo! Ka pasur edhe incidente të vogla që duhet të evitohen dhe këtu nuk ka diskutim. Por në një vend ku mblidhen dhjetëra mijëra njerëz dhe kur merren parasyshë shumë vështirësi politike e ekonomike që kanë kaluar dhe po kalojnë këta njerëz, me siguri që mund të ketë edhe ndonjë incident, ndonjë pakënaqësi, ndonjë rrahja apo brohoritje që ndoshta nuk është me vend. Por në përgjithësi: Imazhi i shqiptarëve ka ndryshuar në Gjermani për vetëm 10 ditë.
Shqiptarët shikohen sot me simpati, si një popull tepër emocional, por një popull që di të organizohet mirë, që është krenar me simbolet dhe origjinën e vetë.
Adriani dhe unë sot jemi pra akoma paksa të zhgënjyer me humbjen, por jemi krenarë me ato që kemi parë e kemi përjetuar, e pak edhe kontribuar në rrugë apo në këto kanalet tona, në 10 ditët e kaluara.
Faleminderit secilit që kontribuoi për përmirësimin e këtij imazhi, faleminderit edhe secilit prej djelmoshave dhe trajnerëve që kanë punuar qe shumë vite për të sjellë Shqipërinë këtu ku është dhe që na mundësoi që ne tifozët të tregojmë fytyrën tonë të vërtetë. E kjo fytyrë, është një fytyrë e njerëzve krenarë me origjinën tonë, krenarë me simbolet tona, është fytyrë e njerëzve emocionalë por me vlera shumë të larta…
Ndërsa në ditët dhe javët në vijim e kanë radhën ekspertët të analizojnë gjërat – që në të ardhmen të tregojmë edhe më shumë në fushën e blertë!