Xhud Bellingam ka pranuar se ai nuk ishte në dijeni se me kë kundërshtar do të përballej Anglia në 1/8-at e “Euro 2024”. “Tre luanët” rezervuan vendin e tyre në fazën eliminatore të turneut pasi përfunduan në krye të Grupit C, me një fitore dhe dy barazime në këtë fazë. Duke bërë këtë, ata siguruan një ndeshje kundër një prej skuadrave që kualifikoheshin në mesin e katër ekipeve më të mira të vendit të tretë, e cila rezultoi të ishte Sllovakia.
Megjithatë, është e qartë se Bellingami nuk kishte pasur shumë interes për të hedhur një sy te rivali i ardhshëm i ishullorëve, ndërsa pranoi të enjten në mëngjes se ai nuk ishte në dijeni për ndeshjen kundër Sllovakisë. Duke folur në serialin “Shpella e Luanëve” në “YouTube”, Bellingham u pyet për mendimet e tij për rivalët e Sllovakisë, për të cilët ai tha:
“Nuk e dija derisa më thatë! Unë mendoj se gjithmonë do të keni ndeshje të vështira në këtë pikë të turneut. Njerëzit do ta shikojnë që është Sllovakia dhe do të mendojnë se do të jetë një ndeshje e lehtë. Padyshim që nuk është kështu, sepse ata do të paraqesin një lloj tjetër kërcënimi dhe është një lloj tjetër pengesë që duhet shkatërruar. Mendoj se ndonjëherë kur luan kundër disa prej skuadrave që të sulmojnë pak më shumë, është pak më e hapur. Unë mendoj se do të jetë një ndeshje interesante dhe për të cilën do të kemi besim. E di që paraqitjet nuk kanë qenë aq të mira sa mund të ishin në tre ndeshjet e para, por mendoj se është një mundësi e shkëlqyer për ne që të kthehemi në nivelin që duhet të jemi”.
Bellingam u pa të shpërthente i zemëruar gjatë ndeshjes më të fundit të Anglisë kundër Sllovenisë, të cilën ata e barazuan 0-0 pas një paraqitjeje tjetër të dobët. Acarimi i sulmuesit të Realit pasqyroi ndjenjat e shumë tifozëve në stadium, të cilët u përballën me një tjetër shfaqje të vakët të Anglisë, megjithëse ajo pikë i ndihmoi ata të përfundonin në krye të grupit. Lojtari më i mirë i sezonit në La Liga lëshoi një mal kritikash ndaj shokëve të skuadrës, duke thënë se nuk po bënin dot asnjë pasim.
Por, pavarësisht acarimit të tij me shokët e ekipit, vetë performanca e tij ishte nën standardet që kemi parë. Ai fitoi vetëm 22% të dueleve, që ishte më e ulëta në skuadër dhe ai gjithashtu humbi 16 herë zotërimin e topit, më shumë se çdo lojtar në skuadër. Duke qenë një nga lojtarët më të spikatur në ndeshjen hapëse, ndërsa shënoi të vetmin gol kundër Serbisë, ishtalenti i Birmingamit dhe Borusias së Dortmund ka qenë çuditërisht anonim.
Bellingam nuk arriti të bënte qoftë një goditje të vetme ose të krijonte një rast të vetëm kundër një prej ekipeve më të vogla të turneut. Shfaqja e dobët e skuadrës shkaktoi zemërimin e tifozëve të Anglisë në stadium, ndërsa në drejtim të trajnerit Garet Sauthgejt u hodhën gota plastike bosh, por u dëgjuan edhe vërshëllima.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL