Berlini është një nga qytetet që i sjell Italisë kujtimet më të bukura. Ndonëse këtë herë rikthimi është për nder të një ndeshjeje për 1/8- at e Europianit, nga finalja e madhe e Kupës së Botës 2006 kanë kaluar plot 6545 ditë, kur “Axurrët” përballë Francës ngrinin në qiell trofeun më të rëndësishëm, Kupën e Botës, më 9 korrik.
Dhe çfarë ndeshjeje… Kujtimet flasin për një Itali aq të fortë, por edhe aq provokuese sa tërbuan edhe Zidanin që shfrynte nervat e tij, në “foton” epikë të goditjes me kokë në gjoks ndaj Materacit. Nga ajo skuadër ka vetëm një të mbijetuar, Xhanluixhi Bufon, i cili nëse 18 vite më parë bënte mrekullinë mes shtyllave, tashmë kërkon të ndiejë një tjetër gëzim si shefi i delegacionit të kombëtares kampione Europe në fuqi. Nga ajo periudhë e deri më sot kanë kaluar një mori me gjëra, shumë breza të kaluar, por mbi të gjitha një Italia që ka ndryshuar pa fund dhe me Zvicrën që mes kujtimeve të bukura e të hidhura, ka qenë pjesë e rëndësishme e historisë së të kaltërve.
Nëse më i bukuri është triumfi 3-0 në Europianin e kaluar, një fitore që i hapte dyert skuadrës së Roberto Mançinit që të ngrinte trofeun në Londër përballë të zotëve të shtëpisë më 11 korrik 2021, kujtimet më të freskëta nuk janë aspak të lumtura. Dy barazime, një 0-0 dhe 1-1 në eliminatoret për Botërorin Katar 2022, ku Zhorzhinjo mban peshën e frikshme të fajit me nga një penallti të humbur në secilën ndeshje, e cila i mohoi pjesëmarrjen në për të dytën herë radhazi në një Kupë Bote. Gjithsesi, sot do të jetë një histori tjetër. Sot do të luhet në Berlin dhe ndoshta, Bufon me emocionet e tij të së kaluarës do të ketë ditur t’i motivojë të gjithë, duke nisur pikërisht nga ai Zhorzhinjo, që ndoshta do të provojë të kërkojë falje, duke shlyer gabimet dhe për “Axurrët të ketë një tjetër festë në Berlin, pas 6545 ditësh…
PANORAMASPORT.AL