Piloti holandez i Red Bull, Max Verstappen, fitoi sot në mesditë garën sprint të Formula 1, zhvilluar në pistën e Spielberg, Austri.
Një garë e dominuar nga xhiro e parë deri tek e fundit nga kampioni i botës, që hasi pak konkurrencë vetëm në xhirot e para.
Në podium u ngjitën edhe dy makinat McLaren, me Oscar Piastri (i dyti) që la pas shokun e tij të skuadrës Lando Norris (i treti). Këta dy pilotë ishin protagonistë të një rivaliteti me Verstappen në xhirot e para, por më pas u dorëzuan, duke mos ruajtur dot ritmin e holandezit.
Në zonën e pikëve u renditën edhe George Russell me Mercedes (i katërti), që parakaloi Carlos Sainz me Ferrari (i pesti). Më pas u klasifikuan Lewis Hamilton me Mercedes (i gjashti), Charles leclerc me Ferrari (i shtati) dhe Sergio Perez me Red Bull (i teti).