Pas diçka më shumë se 48 orësh, Franca do të zbresë në fushë përballë Belgjikës në ndeshjen e vlefshme për 1/8-at e Kampionati Europian që sivjet po zhvillohet në Gjermani.Asnjë problematikë fizikë për francezët që dje ishin të plotë në stërvitje. Trajneri Didie Deshamps pati mundësinë të vlerësojë të tijtë në një program me dy stërvitje tashmë që kanë kaluar tri ditë pas barazimit të tyre ndaj Polonisë të martën në Dortmund (1-1). Tetë nga dhjetë lojtarët titullarë iu nënshtruan vetëm një seance rikuperimi, me disa vrapime dhe zgjatje muskujsh. Théo Hernandez u bashkua me shpejtësi në dhomat e zhveshjes pas pjesës së parë të këtij programi. Zëvendësuesit në Dortmund, të shoqëruar nga Kilië Mbapeja dhe Zhyl Kundeja, kryen punë të diferencuar (15 sekonda vrapim me intensitet të mirë, 15 sekonda pushim). Më pas të dy u përfshinë në një ndeshje kontrolli tetë kundër tetë në fushë të reduktuar.
MBAPE ME MASKË – Pjesa e parë e kundërshtarit u luajt me një prekje të topit, e dyta e lirë. Turam dhe Zhiiru, zëvendësues kundër Polonisë, u dalluan me nga një tripletë secili. Golat e tjerë u shënuan nga Zaire-Emeriy, për fituesit dhe nga Grizman dhe Mbape në skuadrën humbëse. Kapiteni i Francës e ka zhvilluar normalisht seancën me maskën e veshur, pa ndonjë shqetësim të dukshëm.
“Djemtë e Didie Deshamps ishin shumë më energjikë se të dielën, gjatë seancës së fundit të hapur për shtypin”, raporton “L’Equipe” që gjithashtu i gëzohet gjendje së Mbapesë, i cili kundër Polonisë shënoi golin e tij të parë në një kampionat Europian pas 12 të shënuarve në dy Botërorët që ka marrë pjesë. Mungesa e tij ndaj Holandës dhe paraqitja me “frena dore” edhe pse e shoqëruar me gol (nga penalltia) e kanë ftohur disi tifozërinë franceze ndaj fenomeni që pas shumë vitesh orvatje, më në fund realizoi ëndrrën për t’u transferuar te Reali i Madridit. Mënyra më e mirë për t’u prezantuar do të ishte trofeun e “Euro”-s në dorë, ndaj kundër Belgjikës do të tentojë të rimarrë përdore Francën.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL