Kampionati Europian i Shteteve të Vogla, kompeticion i FIBA-s që po mbahet në Prishtinë, tashmë është futur në fazën e nxehtë, teksa sot do të luhen ndeshjet gjysmëfinale.
Në këtë eveniment të basketbollit për vajza merr pjesë edhe Shqipëria, e cila po bën paraqitje të mira.
Vajzat kuqezi e kaluan me sukses fazën e grupeve, teksa u renditën në vendin e dytë në Grupin B, duke shënuar dy fitore dhe një humbje. Fillimisht Shqipëria triumfoi me rezultatin 74-58 kundër Andorrës, ndërsa më pas mposhti Armeninë 70-64, për t’u mundur në takimin e tretë nga Norvegjia me rezultatin e thellë 43-89.
Pas një dite pushim, Shqipëria do të zbresë sot në parket për ndeshjen gjysmëfinale, teksa në orën 18:00 do të përballet me Maltën. Kombëtarja, e drejtuar nga trajnerja Klaudio Ndoja do të kërkojë kalimin për në finale në një event ku marrin pjesë përfaqësueset modeste të sportit të koshit në kontinent e vjetër.
Ndërkohë, gjysmëfinalja tjetër në Kampionatin Europian të Shteteve të Vogla vendos përballë Norvegjinë dhe Qipron, takim që do të luhet në orën 20:30.