Fitorja e madhe e Gjermanisë e arritur përballë Danimarkës edhe pse mund të kosniderohet si një triumf i lehtë fusha tregon diçka tjetër. Të besuarit e Nagelsman kanë bërë gjithçka mirë duke ruajtur qetësinë për të mposhtur një rival, i cili ka përdorur të gjitha mënyra për të “vrarë” ritimin e ndeshjes.
Gjermani-Danimarkë u ndërpre për 20 minuta në pjesën e parë për shkak të kushteve atmosferike dhe rrufeve në Dortmund, teksa ishin danezët ata që e kërkuan ndërprerjen te kryesori Majkëll Oliver.
Pas këtij episodi qëndronte kërkesa e teknikut Hjulmand, pasi në të kaluarën ai ka qenë trajneri i Nordsjaelland dhe në vitin 2009, lojtari i tij në atë kohë, Xhonatan Rishter humbi njërën këmbë dhe qëndroi për afro dy javë në koma pasi u godit nga rrufeja në takimin Hvidovre-Nordsjaelland.
Në fund të garës Kasper Hjulmand u shfaq përpara gazetarëve i irrituar duke akuzuar “VAR” si qesharak. “Na u mohua një gol sepse lojtari ynë ishte në pozicion të parregull me pak centimetra. Si mund ta bëjnë këtë gjë kur nuk dinë momentin e saktë të shkëputjes së topit nga këmba e lojtarit, i cili jep pasimin e fundit. Edhe penalltia kundër nuk mu duk një vendim i qartë. Na u tha se lojtarët nuk duhet të mbajnë duart lart, atëherë si mund të vrapojnë me duart pas trupit. Ishin vendime qeshrake”, akuzoi Kasper Hjulmand.