Spanja do të nisë të dielën me ndeshjen kundër Gjeorgjisë fazën më të rëndësishme në Europian. Nga e diela nuk ka më shaka, ose fiton, ose bën valixhet dhe kthehesh në shtëpi.
Skuadra e De la Fuentes ka bërë një pjesë të parë të Europianit për t’u pasur zili. Ndaj ajo paraqitet me kredenciale të jashtëzakonshme kundër Gjeorgjisë. Një gjë është e qartë, Spanja ka evoluar. Nuk ka dyshim. Krahasimet mes skuadrës së Luis Enrikes dhe asaj të Luis de la Fuentes, duke lënë mënjanë rezultatet, janë pjesë e ekosistemit të futbollit dhe nga niveli më emocional ka gjithmonë një tendencë për të lavdëruar njëri mbi tjetrin. Dhe kështu do të vazhdojë të jetë. Por, me të dhënat nga faza e parë e “Euro 2024”-ës dhe me kujtimin e hidhur të Kupës së Botës në Katar një vit e gjysmë më parë, diçka duket më se evidente: Spanja ka zgjedhur të heqë dorë nga zotërimi i topit. Dhe paralelisht, ajo i ka kushtuar më shumë rëndësi vertikalitetit që e ndihmon atë të jetë më afër zonës së kundërshtarit. Këto nuk janë vetëm ndjesi, por aspekte të prekshme që vërtetojnë një ndryshim kursi që përfshin, në një masë të madhe, “lamtumirë” nga zotërimi dhe kontrolli dërrmues të topit që i dha aq shumë lavdi “La Roja”-s vite më parë. Tre ndeshje të fituara, 9 pikë të plota, 5 gola të shënuar, asnjë i pësuar, por është domethënëse të thuhet që Spanja është skuadra e shtatë në turneun e Kontinentit të Vjetër për sa i përket zotërimit të topit.
Kampionia aktuale e Ligës së Kombeve ka një mesatare prej 54% pas ndeshjeve kundër Kroacisë, ajo kishte më pak top me 47 %, kundër Italisë fitoi me 57% dhe ndaj Shqipërisë, dominoi gjithashtu me 59%, të cilat e bëjnë atë të dalë nga podiumi i skuadrave më dominuese me topin në zotërim. Tri të parat janë Gjermania, me 64.3% si Portugalia dhe Anglia, me 59.7%. Megjithatë, dhe pavarësisht faktit se Spanja ka më pak top se këto tre konkurrente, ajo renditet në krye në mesin e atyre me efektivitetin më të mirë të pasimeve. Për ta përmbledhur: Spanja nuk e ka aq shumë topin, por kur e ka, mezi e humb atë. Këtë e dëshmon efektiviteti i pasimeve, 90%, si Anglia dhe Portugalia, vetëm pas Gjermanisë mikpritëse, me 93%. Ky është një pasqyrim i një prej mesazheve që De la Fuente e thekson më shumë: nuk ka rëndësi sa e keni topin, por çfarë bëni me të.
DRYNI – Një tjetër aspekt për t’u theksuar në lidhje me skuadrën spanjolle në fillim të kampionatit është, sigurisht, porta e pastër. E vetmja, në fakt, që nuk ka pësuar ende asnjë gol, mbi Francën, Belgjikën dhe Anglinë, të cilat kanë marrë të paktën një gol në një nga ndeshjet e tyre. Në mbrojtje, Spanja është e shtata në rikuperimin e më shumë topave – 123 – dhe është e dhjeta në të cilën portierëve të saj është dashur të ndërhyjnë më shumë. Në total, 10 pritje të ndara midis Unai Simón (6), i cili priti edhe një penallti kundër Kroacisë, dhe 4 për David Raja, të gjitha kundër Shqipërisë. Jo më kot kjo Spanjë tremb rivalët, pasi ka siguruar një balancë në fushë.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL