Zvicra ia doli me sukses ndaj Italisë në 1/8-tat e Euro 2024, teksa helvetët i mposhtën axurrët me rezultatin 2-0, për më tepër edhe duke dominuar me lojë. Të udhëhequr nga Granit Xhaka në rolin e kapitenit, Zvicra përgatitet për ndeshjen e çerekfinales ndaj Anglisë. Megjithatë, Xhaka në një intervistë të fundit i rikthehet edhe njëherë ndeshjes me italianët ndërsa thekson se ai kurrë nuk e kishte parë Italinë në një nivel kaq të dobët.
“Unë urrej të humbasë, edhe në stërvitje nuk e pranoj humbjen. Unë dhe Akanji zhvilluam një sezon të madh, ashtu si edhe tre lojtarët që vijnë nga Bologna. Në përgjithësi të gjithë lojtarët kanë bërë mirë këtë sezon dhe ne jemi të “uritur” për më shumë. Italinë nuk e kisha parë kurrë në këtë gjendje, ishte shumë në vështirësi. Mendoj se ne e fituam ndeshjen ende pa zbritur në fushë, kështu bënë edhe ata me ne para tre vitesh.
Jam shumë krenar për atë që kemi treguar, jam krenar për çdo pjesëtar të skuadrës dhe stafit, sepse kjo që kemi arritur është shumë speciale. Jo vetëm për rezultatin, por edhe për performancën dhe lojën e shprehur. Kemi luajtur në nivel të shkëlqyeshëm dhe kemi qenë mentalisht shumë mirë, edhe pse përballë kishim një kundërshtar prestigjioz.
E kishim në mendje atë disfatë 3-0 ndaj Italisë para tre vitesh. Por, këtë herë treguam shumë shpirt skuadre dhe arritëm një objektiv që ishte mëse i merituar. Çdo fitore na shton më shumë besimin, ishim të disiplinuar taktikisht edhe me topin në zotërim, por edhe kur kundërshtari e kishte topin në kontroll”, u shpreh Xhaka.