Shfaqja e skuadrës së Murat Jakinit si një nga pa ketat surprizë në këtë turne, ka qenë një lëvizje e kryer me nënvlerësimin tipik zviceran.
Ata funksionojnë si një orë e saktë, e balancuar bukur me të gjitha pjesët që punojnë në sinkron së bashku. Ata frikësuan Gjermaninë organizatore dhe i paketuan valixhet kampionëve në fuqi të Italisë. Ndeshja e radhës është Anglia në Dyseldorf dhe Zvicra do të vazhdojë me besim, pavarësisht se ka pak bujë rreth tyre.
KAMPIONËT – Zviceranët kanë fitues. Portieri Jan Zomer fitoi titullin kampion në Itali me Interin këtë vit. Qendërmbrojtësi Manuel Akanzhi fitoi Premier Ligën me Mançester Sitin. Granit Xhaka bëri dopietën në Gjermani me Bajer Leverkusenin. Këta janë futbollistë të pjekur. Ata kanë përvojë në momente presioni dhe janë të gatshëm të marrin përgjegjësi dhe të marrin vendime në fushë. Të gjithë janë të mësuar me kërkesat e stërvitjes moderne. Kur të presoni lart, kur të ngrini ritmin, kur ta ulni, si ta përballoni presionin, mbroni avantazhin dhe luani në kundërsulm. Kjo u ilustrua në mënyrë perfekte nga dy elementët e fitores ndaj Italisë, dominimi i orës së parë dhe dorëzimi i topit në gjysmë orëshin e fundit.
BAZA SOLIDE – Në çdo krah, Akanzhi ka mbrojtësit me përvojë Fabian Sher dhe Rikardo Rodrigez. Ata kanë më shumë se 200 prezenca mes tyre. Ata mund të jenë të prirur të bëjnë gabime në mbrojtje, por janë të lëvizshëm, të shpejtë për t’u markuar dhe të aftë për të hyrë në mesfushë me topin. Rodrigez është një ish-mbrojtës krahu, i cili herë pas here do të dalë të mbivendoset. Rivalet synojnë ta godasin atë në luftën në ajër. Niklas Fylkrug ishte më i suksesshëm për Gjermaninë në këtë drejtim sesa Xhanluka Skamaka për Italinë. Sher, siç tifozët e Njukasëllit e dinë, është një kërcënim në goditjet standarde.
BOLONJEZE ZVICERANE – Të shpërndarë në skuadër janë tre lojtarë që luajnë te Bolonja, zbulimi taktik i Serisë A këtë sezon, trajnuar në stilin e mbajtjes së topit nga Tiago Mota dhe të montuar nga Xhovani Sartori, arkitekti i revolucionit të Atalantës. Çështja këtu është Mishel Abisher, Remo Frojler dhe Dan Ndoje janë krejtësisht komod me topin. Ata do ta pranojnë atë dhe do ta lëvizin me besim në zona të ngushta. Ata janë të rrjedhshëm sa i përket formacionit, duke u përshtatur gjithmonë me ndeshjen që ndryshon. Kjo u duk qartë në pjesën e parë kundër Italisë. Kundër Gjermanisë, ata ishin të lumtur që lëshuan topin, i besuan mbrojtjes së tyre dhe i goditën në kundërsulm.
FORMACIONET FLUIDE – Me mbrojtësin titullar të krahut të djathtë Silvan Vidmer të pezulluar për ndeshjen kundër Italisë, Jakin e zhvendosi Ndojenë në atë pozicion, pavarësisht faktit se ai kishte shkëlqyer si një nga dy lojtarët sulmues të vendosur në mbështetje të qendërsulmuesit Bril Embolo në ndeshjen e mëparshme kundër Gjermanisë. Shpejtësia natyrale dhe aftësia e vrapimit të Ndojesë u kompensua nga Fabian Rider, formalisht sulmuesi i krahut të djathtë, por më shpesh i gjetur në qendër. Në fazën pa top, detyra e Riderit ishte të shqetësonte organizatorin e thellë të Italisë, Nikolo Faxholin. Kjo hapi krahun e djathtë për Ndojenë për të sulmuar Mateo Darmianin. Në të majtë, Ruben Vargas, i shpejtë dhe i shkathët, do ta mbante pozicionin e tij në krah me Abisher, një mbrojtës i krahut të majtë që luan me këmbën e djathtë, që tenton pasimin brenda, duke shkaktuar një mbingarkesë në mesfushë dhe pasime kërcënuese nëpër linja.
“XHAKA ÇAN” – Xhaka e organizon pjesën më të madhe të kësaj nga qendra e fushës dhe po luan me besim të lartë. Kush mund ta fajësojë atë? Në një vit që nga largimi nga Arsenali, ai ka humbur vetëm dy ndeshje për klubin dhe kombëtaren. Në “Euro 2024”, ai ka luajtur çdo minutë nga katër ndeshjet e Zvicrës dhe e ka humbur topin vetëm një herë. Është sikur të ketë gjetur kodin e mashtrimit në futboll. Në fakt, si në Leverkusen, ai është lideri i një skuadre që e di se çfarë po përpiqet të bëjë dhe i beson sistemit.
FRONTI I BASHKUAR – Stafi i Zvicrës prodhoi një film përpara ndeshjes me Italinë duke falënderuar lojtarët për emocionet që kishin mundur të ndajnë së bashku. Pas fitores, Jakin u tha lojtarëve të tij që të kthenin reston dhe të prodhonin një film duke falënderuar stafin për gjithçka që ata bëjnë. “Ka një bashkim të mrekullueshëm”, tha trajneri 49-vjeçar.
KËRCËNIMI PËR GOLIN – Embolo udhëheq linjën me dëshirë. Ai është i fortë, fizik dhe punon shumë, por nuk mund të pretendojë se është klinik para portës. Problemi zviceran gjatë viteve të përmirësimit nën drejtimin e Vladimir Petkoviçin ishte gjithmonë ta kthente skuadrën në një fabrikë golash. Megjithatë, në këtë turne, ekipi i Jakin ka qenë më i mirë. Ata shënuan 22 gola në 10 ndeshje kualifikuese, gjashtë të shënuar nga Zeki Amduni i Bërnlejt, dhe shtatë gola në katër ndeshje në këtë turne, përmes shtatë lojtarëve të ndryshëm. Thënë kështu, Skocia i frustroi ata në një barazim 1- 1, ndërsa goli i Zvicrës ishte një goditje ëndrrash nga Xherdan Shaqiri.
FATI NË ANËN E TYRE? – “Ne i arritëm këto rezultate me gjak, djersë dhe lot dhe jo fat të mirë”, tha Jakin pasi mposhti Italinë, por ai është i kënaqur që goli i Fylkrugut që ata pësuan në shtesë e ka mbajtur Zvicrën në krahun më të favorshëm të shortit, duke nxitur shpresën se ata mund të shkojnë përtej tetë ekipeve të fundit.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL