Joshua Kimish ka zhvilluar Kampionat Europian pozi tiv në ngjyrat e Gjermanisë. Ai kontribuon në krahun e djathtë të prapavijës, ku jep impulse në ndërtime të aksioneve të rrezikshme nga mbrapa, sikurse mbulimin e kundërshtarit. Para ballafaqimit me Spanjën ka folur Joshua, ndërsa dueli në fjalë do të vendos shumë për fatet e kombëtares gjermane, aty ku pritshmëritë kanë kapur majat.
ÇEREKFINALJA – “Duhet thënë se Spanja ka lënë përshtypjen më të qëndrueshme deri tani. Ata i fituan të gjitha ndeshjet me shumë besim, do të jetë një betejë e vështirë për të dyja skuadrat. Do të jetë një lojë e mirë që çdo tifoz neutral mund ta presë me padurim. Ka duele më të lehta, por nëse doni të fitoni turneun, gjithsesi nuk ka rrugëdalje nga Spanja. Njerëzit i presin me padurim këto lojëra, ku tempi është në nivelin më të lartë. Ata kanë dy djem të talentuar me premisa shumë të mëdha, fjala është për Niko Uilliams dhe Laim Jamal. Ne duhet të përpiqemi të gjejmë zgjidhje si ekip, vetëm kështu mund t’i mposhtim spanjollët”, tha Kimish.
BALLAFAQIMET ME SPANJËN – “Ne duam të mposhtim spanjollët. Ky është absolutisht qëllimi ynë, të ecim përpara. Ju dëshironi të shkruani kapitullin tuaj, historinë tuaj. E kuptueshme se nuk ka për të qenë e lehtë, por siç e thashë me lartë, nuk ka zgjidhje tjetër. Pritshmëritë në kampin tonë kanë filluar të rriten pas çdo ndeshje. Jam besimplotë se do të avancojmë për më tej”.
STILI I LOJËS – “Të dyja skuadrat e identifikojnë veten me posedimin e topit. Por do të jenë të rëndësishme edhe aspekte të tjera si dinamizmi, guximi, forca. Shpresojmë që avantazhi të vijë nga tribuna. Ju mund ta ndjeni këtë në fushë si skuadër kur mbështetja nga tifozët është masive. Ne jemi përgjegjës për të marrë tifozët me vete. Përqendrimi sigurisht që do të jetë gjithashtu vendimtar. Të gjithë duhet të japin një performancë të lartë.
Spanjollët nuk janë mësuar të luajnë kundër një kundërshtari që gjithashtu dëshiron topin, do të jetë ndeshje interesante, me intensitet”, e mbylli Kimish. Ky duel cilësohet më të drejtë “finale” e parakohshme, ku njëra prej kombëtareve do të duhet t’i thotë lamtumirë kompeticionit. Si Spanja ashtu edhe Gjermania e kanë fituar më shumë herë Europianin se çdo përfaqësues tjetër, 3 trofe. Dueli është planifikuar të luhet ditën e premte në orën 18:00, stadiumi i Shtutgartit.
PANORAMASPORT.AL