Xhud Bellingam dhe Deklan Rajs men duan se ia kishin hedhur paq pas incidenteve në të cilat u përfshinë në ndeshjen kundër Sllovakisë. Anglia e preu biletën në çerekfinalet e Europianit pasi përmbysi në shtesë 2-1 sllovakët. Por golin e barazimit e shënuan vetëm në minutën e pestë të shtesës, me Bellingam që realizoi me një roveshadë.
Por gjatë festimeve të tij, ylli i Realit të Madrid u kap nga kamerat duke vendosur dorën nën organet gjenitale, në një lëvizje që ngriti dyshime nëse lojtari po e bënte këtë gjest ndaj stolit të Sllovakisë. Ishte një gjest që u përsërit nga gazetarët spanjollë që diskutonin për Bellingamin në Këln, përpara fitores së skuadrës së tyre ndaj Gjeorgjisë, duke sugjeruar se anglezi kishte ngulitur ADN-në e tij të Realit në kampin e Anglisë.
Megjithatë, pasi Bellingam, i cili mbushi 21 vjeç të shtunën, u akuzua për mosrespektim të kundërshtarëve të tij, ai zbuloi se gjesti ishte në fakt një shaka e drejtuar ndaj miqve të ngushtë që ishin në tribunë. Ai shkroi në rrjetin social “X”, i njohur më parë si “Twitter”: “Ishte një shaka e brendshme drejtuar disa miqve të ngushtë që ishin në ndeshje. Asgjë përveçse respekt për mënyrën se si luajti sonte skuadra e Sllovakisë”. Gazeta portugeze “A Bola” ngriti pretendimin se Bellingam mund të përballet me masa disiplinore nga UEFA. Dhe UEFA e konfirmoi nisjen e një hetimi ditën e hënë. Por “Sun Sport” këmbëngul se nuk po shqyrtohet asnjë masë disiplinore në këtë fazë, dhe trajneri i “tre luanëve”, Garet Sauthgejt, duhet të qëndrojë i qetë. Nëse gjesti do të ishte përfshirë në raportin e arbitrave, atëherë mesfushori do të rrezikonte shumë pezullimin për ndeshjen e së shtunës në Dyseldorf.
Por mësohet se gjesti nuk është përmendur në asnjë prej raporteve të ndeshjes të bëra nga zyrtarët e UEFA-s. Në rastin më të mirë Bellingam nuk do të pezullohej dhe duhet të jetë i pastër për të luajtur në ndeshjen e së shtunës në Dyseldorf, por mund të gjobitet. Ndërkohë, në fund të ndeshjes, Deklan Rajs u përfshi në një përplasje të ashpër me trajnerin e Sllovakisë, Françesko Kalcona, ndërsa shoku i skuadrës Aron Ramsdejl shkoi për ta mbajtur. Kalcona tha se përplasja erdhi prej Rajsit, i cili refuzoi të largohej kur ai donte të fliste me arbitrin, çka solli më pas shtyrjen e mesfushorit të Arsenalit nga trajneri italian. Ai tha më pas: “Rajs duhej të shkonte te gjyqtarët dhe më pas të largohej.
Unë duhej të flisja me gjyqtarët dhe ai nuk po largohej, ai vazhdoi. Por më pas ai kërkoi falje dhe gjithçka ishte në rregull”. 25- vjeçari, i cili mendohet se iu drejtua trajnerit kundërshtar me fjalët “Mbylle gojën o qeros idiot”, gjithashtu nuk ka gjasa të përballet me ndonjë pasojë për përplasjen. Dhe sipas “The Sun”, kjo do të thotë se, me përjashtim të dëmtimeve të mundshme, dyshja kryesore duhet të jetë në dispozicion për t’u përballur me Zvicrën në çerekfinale të shtunën e ardhshme. Por UEFA nuk e ka dhënë fjalën e fundit.
PANORAMASPORT.AL