Belgjika e mbylli rrugëtimin në EURO 2024 pas humbjes minimale 1-0 përballë Francës në raundin e 1/8-ave.
Një humbje me pasoja, pasi ky eliminim nuk është pritur mirë nga opinion belg edhe pse përballë ishin dy herë kampionët e botës.
Pas ndeshjes, kapiteni Kevin De Bruyne u shpreh i zhgënjyer për mënyrën se si ekipi interpretoi këtë përballje.
“Ne kishim një plan loje dhe i qëndruam shumë mirë këtij plani që kishim. Natyrisht e dinim që Franca do ta mbante topin më gjatë, por mendoj se ne u mbrojtëm mjaft mirë si ekip, pavarësisht episodit në fund. Sulmi? Ne nuk krijuam shumë raste, përveç disa goditjeve nga distanca dhe kjo është e vërteta. Shumica e këtyre goditjeve nuk ishin shumë të rrezikshme. Mendoj se patëm disa momente ku mund të bënim më mirë, por nuk mundëm të shënonim asnjë gol, këtu flas edhe për goditjen time. Pastaj, pësuam atë gol me një devijim, kështu që duhet ta pranojmë atë çfarë dha fusha”– përfundoi mesfushori i Manchester City-t.
33-vjeçari nuk ia doli as këtë edicion për të shkruar historinë me Belgjikën, ndërsa ndaj Francës kapiteni zhvilloi ndeshjen numër 104 me kombëtaren belge.