Kampi spanjoll nuk ka vonuar me përgjigjen ndaj kampit gjerman pas deklaratave të bëra të martën nga Jens Leman. Ai e cilësonte Spanjën një ekip pa eksperiencë dhe “të vogël”, që Gjermania do ta kalonte pa asnjë problem.Deklarata e tij nuk është pritur mirë jo vetëm në Spanjë por dhe në Gjermani. Gjithsesi nga kampin spanjoll janë munduar ta anashkalojnë deklaratën e tij. Por jo se nuk ka pasur reagim. Visente del Boske, trajneri që i dha titullin e parë botëror Spanjës (2010) në Afrikën e Jugut dhe titullin e tretë europian (2012) në Kiev ka “tërbuar” gjermanët me një deklaratë të publikuar nga tabloidi “Bild”. Në fakt më shumë se tërbim, deklarata e Del Boskes ka shkaktuar habi edhe në Gjermani, nisur nga vetë profili që ka mbajtur në karrierën e tij ish-trajneri i Spanjës. “Spanja është favoriti kryesor, nuk kam asnjë dyshim se do të fitojmë”, ka thënë ai.
Deklaratat duken të çuditshme për një njeri që është karakterizuar gjithmonë nga diskrecioni dhe kujdesi i tij, por fjalët e tij janë nënvizuar me të madhe të mërkurën në gazetën “Bild” dhe kanë ndezur vendin gjermanët. Të mërkurën, të gjitha gazetat gjermane, stacionet radiofonike kombëtar apo rajonal, apo edhe TV-të janë marrë pikërisht me deklaratën “bombë” të Visente del Boskes. Fjalët e tij kanë bërë më shumë zhurmë dhe për faktin se ish-trajneri i kombëtares, tani kryeson komisionin që mbikëqyr Federatën Spanjolle të Futbollit pas skandalit të ish-presidentit Luis Rubiales.
“Spanja luan më shpejt dhe me ritëm më të madh se Gjermania. Jam plotësisht i bindur se do të kalojmë” raporton “SportBild” si fjalë nga Del Boske, kampion me “La Roja”-n në Kupën e Botës 2010 dhe Euro 2012. “Unë nuk dua të tregohem i pasjellshëm dhe mendoj se Spanja duhet të tregohet e matur. Por nuk mund ta fsheh faktin se në përgjithësi, unë e shoh Spanjën më mirë në shumë aspekte, edhe pse Gjermania po luan mirë në sulm, veçanërisht me Musialën”. “Ne jemi favoritë dhe nuk kam dyshim se do të fitojmë. Ne jemi të mirë në sulm dhe mbrojtje edhe pse Gjermania ka avantazhin duke luajtur në shtëpi”, ka deklaruar ish-trajneri i Realit të Madridit.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL