Kur Frenki De Jong mori lajmin që nuk do të ishte zyrtarisht pjesë e Europianit në Holandë ra alarmi.
Por pas kualifikimit në çerekfinalet e Europianit për herë të parë që nga viti 2008 situata është ndryshe. Sigurisht që Kodi Gakpo është lojtari që i ka marrë të gjitha meritat dhe është në qendër të vëmendjes. Në fakt është një tjetër lojtar i quajtur Tizhani Reijners dhe që ka një peshë të madhe në këtë skuadër, mbi të gjitha në funksionim ashtu siç duhet të aksioneve sulmuese dhe jo vetëm. Rasti i tij është pak i çuditshëm. Pavarësisht se me ekipin e AZ Alkmar tregoi një nivel shumë të mirë në sezonet e fundit, debutimin me Holandën e bëri në shtatorin e vitit 2023 pas nisjes spektakolare të sezonit me fanellën e Milanit. Dhe për më tepër, ishte 25 vjeç.
“Nëse ai ka treguar në Champions që është një lojtar i zoti, sigurisht që mund ta tregojë edhe me kombëtaren. Por të luajë me ekipin e Holandës sigurisht që është diçka që e ndihmon akoma më shumë”, ka thënë dikur trajneri Kuman. Sezoni i tij i parë me fanellën e Milanit ishte pak a shumë si e gjithë skuadra. Prezenca në Europë nuk ishte e sigurt dhe ai nisi që të merrte rolin e liderit në mesfushë. Dhe nga ky përmirësim, trajneri Kuman vendosi t’i besonte atij çelësat e mesfushës. “Është bërë lojtar i madh në pak kohë. Nuk mundet që ta lë jashtë fushës një futbollist të tillë”.
I RRITUR- Frika e trajnerit ishte që ndoshta Reijnders nuk do të bënte hapin e madh dhe cilësor në karrierën e tij. Por ai e ndihmoi dhe ishte një nga arsyet kryesore pse lojtari u rrit kaq shpejt në pak kohë. Në debutim kundër Polonisë ishte si një lloj sulmuesi i dytë, ku kishte shumë lirshmëri. Një pozicion që kishte më shumë mundësi për të treguar vlerat. Por pak a shumë “peshoi” në lojë. Ndeshja e tij ishte bindëse, por problemet që pati Verman bënë që trajneri Kuman ta sposonte atë në mesfushë për të blinduar këtë repart. Dhe Reijnders është disi i sakrifikuar që të ketë më shumë lirshmëri Ksavi Simons. “Reijnders dhe Shouten më japin shumë garanci me dhe pa top. Por nuk duhet ta harrojmë Simonsin. Në opinionin tim ishte një nga më të mirët. Ai është më shumë një numër 10 që duhet të ketë lirshmëri në fushë”, komentoi Kuman pas fitores me Rumaninë.
NDESHJA- Paraqitja e tij me Rumaninë ishte një spektakël më vete. I dha shpejtësi lojës, tregoi kualitet dhe teknikë të lartë. Ishte lojtar me më shumë ndërhyrje, më shumë pasime dhe më shumë topa progresivë. Ishte një nga ndeshjet më të mira që një lojtar ka bërë në Europian. Ndoshta ende nuk ka një emër të madh mbi fanellë, por falë nivelit që kanë treguar bashkë me Shouten mund të jenë “digë” e fortë për rivalët e tjerë. E sigurt është që De Jong nuk po i mungon askujt.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL