Nga Italia raportojnë se Milani dhe Mançester Junajtidi po e shikojnë Romelu Lukaku si një plan B të tyre, pasi kanë tentuar pa rezultat që të joshin Joshua Zirkzen. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, duke folur për kërkimin e “Djallit” për një sulmues, i cili mund të zëvendësojë Olivier Zhirun, mendohet se 31-vjeçari belg zë një vend të rëndësishëm në listën e blerjeve.
Kjo për shkak se ai ka mbi 300 gola për klube dhe për shkak se në Serinë A italiane, veçanërisht në Interin e Antonio Kontes dy vitet e para, ka treguar se mund të bëjë diferencën. Milani, pra, synon Lukakun… por jo me çdo kusht. Për “Big Rom”, sipas të përditshmes Milani, nuk ka ndërmend të bëjë ndonjë çmenduri. As si shpenzim për kartonin dhe as për rrogën.
PENGESAT – Duke cekur shpenzimet, duhet thënë se Milani nuk mund të bëjë një ofertë page për më shumë sesa 7.5 milionë euro në sezon. Lukaku merr diçka më tepër nga Çelsit dhe këtë i takon sulmuesit të bëjë sakrificën e parë. Një tjetër pengesë është vlera e kartonit. Çelsi vijon të pretendojë rreth 20 milionë euro, ndërkohë që kuqezinjtë synojnë huazimin me të drejtë blerje. Në fund, por jo për nga rëndësia është vetë Antonio Konte që e do te Napoli. Edhe në këtë rast i takon futbollistit të bëjë vlerësimet e tij, pasi as te “Axurrët” nuk do të marrë rrogën aktuale.
PANORAMASPORT.AL