Historia e futbollit duket e prirur t’i bashkojë përgjithmonë. Nëse para pak ditësh ishte Cristiano Ronaldo ai që humbi një penallti vendimtare për Portugalinë, mbrëmjen e së enjtes ishte radha e Lionel Messit me Argjentinën në çerekfinalen e Kupës së Amerikës ndaj Ekuadorit.
Me rezultatin e kohës së rregullt që përfundoi në shifrat 1-1 (Argjentina shënoi e para me Lisandro Martinez dhe u barazua nga Rodriguez në të 92-tën”, “pleshti” u nis i pari drejt ekzekutimit të penalltive, por gaboi duke tentuar një panenka me topin që preku traversën dhe shkoi jashtë kuadratit, megjithatë ashtu si Ronaldos, edhe Messit, në ndihmë i erdhi portieri, teksa Emiliano Martinez u shndërrua në hero.
“Dibu” që aktivizohet me Aston Villan në Premier League, priti dy penalltitë pasardhëse të Ekuadorit duke dërguar të tijtë në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës, aty ku Kampionët e Botës do të përballen me fituesin e çiftit Venezuelë-Kanada.