N iko Uilliams (12.7. 2002, Pamplona), një nga personazhet e Europianit 2024. Së bashku me shokun e ekipit, Lamine Jamal, ata janë kthyer në tmerrin e mbrojtjeve rivale. Dhe në Gjermani cilësohen si rreziku kryesor i Spanjës para takimit të sotëm në Shtutgart. Një ditë para ndeshjes së sotme kundër Gjermanisë, sulmuesi i Spanjës dhe Atletik Bilbaos ka dhënë një intervistë për gazetën “AS”. Sulmuesi 21- vjeçar (me 12 korrik mbush 22) ka folur për shumë tema, duke deklaruar se shpreson të jetë në Berlin më 14 korrik (dita e finales së “Euro 2024”-ës).
Opinioni i përgjithshëm është se Spanja ka krahët më të mirë në Europian. A është kjo kombëtarja e dyshes Lamine-Niko?
Nuk e shoh kështu. Ne jemi i gjithë ekipi. Spanja nuk është vetëm Niko Uilliams dhe Lamine Jamal. Na vjen mirë dhe e vlerësojmë mbështetjen, por mendoj se të gjithë së bashku po bëjmë diçka të madhe. Dy lojtarë nuk përfaqësojnë një skuadër.
Të gjithë ju etiketojnë si djemtë e “tik-tok”-ut…
Ajo video është tregues i një marrëdhënieje të mirë. Shkojmë shumë mirë me njëritjetrin. Lamine nuk është vetëm shok ekipi, por edhe mik.
Besoj se mbrojtësit e krahut ju ndihmojnë…
Është plotësisht e vërtetë. Kukureja mbulon gabimet e mia, ai gjithmonë më ndihmon. Lojtarët tanë të krahut që kanë detyra mbrojtëse po bëjnë një kampionat të shkëlqyer. Për Karvahalin fjalët janë të tepërta, por dhe Kukureja është i shkëlqyer.
Ju keni shënuar, ndërsa Lamine jo. Do të firmosnit për një gol të tij kundër Gjermanisë?
Me kënaqësinë më të madhe. Ai është si një vëlla për mua dhe do të kisha shumë dëshirë që të na çonte në gjysmëfinale.
Nga ana tjetër është Gjermania, një skuadër me talente dhe eksperiencë, si Gyndoan apo Toni Kros…
Të flasësh për Krosin do të duhen shumë ditë e natë, për vetë atë çfarë ai ka bërë. Ai nuk është si gjithë lojtarët e tjerë. Është gjithnjë një hap përpara. Ai duket sikur ka sy edhe prapa…
Si e shihni çerekfinalen?
Shpresoj që të fitojmë, por nuk mund të them po. Nuk më pëlqen kjo gjë, sepse mund të mashtroj. Por ne do të përpiqemi të arrijmë në finalen e madhe.
PANORAMASPORT.AL