Garet Sauthgejt do të festojë ndeshjen e tij të 100-të në stolin e Anglisë sot kundër Zvicrës. Vetëm Sër Alf Ramsej (113 ndeshje) dhe Uollter Uinterbotëm (139) kanë arritur shifrën e 100 ndeshjeve në stolin e “tre luanëve”.
Ramsej ishte edhe trajneri që udhëhoqi Anglisë drejt të vetmi trofe deri tani në histori, Kupën e Botës 1966. Uinterbotëm ka më së shumti fitore (78), por kishte një më pak se numri aktual i sukseseve të Sauthgejtit në këtë shifër jubilare. Sër Alf është i pari me 63 fitore nga 100 ndeshjet e tij të para. Për sa i përket përqindjes së përgjithshme të fitoreve, 60.6% e Sauthgejtit e rendit atë të katërtin në mesin e trajnerëve të Anglisë:
Fabio Kapelo kryeson këtë listë me 66.7% fitore nga 42 ndeshje, ndërsa Ramsej është i dyti me 61.1%. Në turnetë e mëdha, trajneri fitues i Kupës së Botës së “tre luanëve” ka një përqindje fitoresh prej 66.7% nga 12 ndeshje – Sauthgejt është i dyti me 56.5% nga 23 ndeshje. Të gjithë janë me sytë nga ai. Sauthgejt pritet të bëjë ndryshime në formacionin e Anglisë kundër Zvicrës, duke iu kthyer një mbrojtjeje me tre vetë, për të nisur më në fund që të funksionojë një skuadër kaq shumë e kritikuar këtë turne.
Anglia nuk ka bindur në të katërta ndeshjet e deritanishme dhe sot në Dyseldorf përballet me rivalen më të vështirë deri këtu. “Së pari, ne treguam qëndrueshmëri të madhe dhe karakter të madh për të vazhduar deri në fund kundër Sllovakisë dhe mendoj se e merituam një barazim në 90 minuta. Kur e shënon golin kaq shpejt në kohën shtesë, ju jeni në gjendje të jeni në kontroll të gjërave pak më shumë”, tha tekniku i Anglisë, i cili vlerësoi cilësinë e Bellingamit, në atë gol spektakolar barazimi në minutën e 95-të: “Ai ka një forcë dhe personalitet të jashtëzakonshëm për të ndikuar në momentet më të rëndësishme. Kjo është e pazakontë ta gjesh, veçanërisht në një lojtar të moshës së tij.
Kështu që po, ne jemi me shumë fat që kemi një lojtar të tillë në mesin tonë”. Trajneri i Anglisë përshkroi mentalitetin e duhur në të cilin duhet të jetë skuadra e tij për duelin e sotëm: “Duhet të kthehemi në fazën mendore në të cilën ishim para ndeshjes me Sllovakinë. Çfarëdo që të duhet për të fituar, duhet të jesh gati”. Ai identifikoi mesfushën e Zvicrës me kapitenin Xhaka si pjesën më të fortë të rivalëve të sotëm: “Granit Xhaka dhe Frojler janë lojtarë shumë të mirë të mesfushës. Ata e përdorin mirë topin, janë luftarakë, kanë lidership, mund të shkojnë përpara dhe të shënojnë gola. Janë një pjesë integrale e mënyrës se si luan Zvicra”.
PANORAMASPORT.AL