Mesfushori i kombëtares spanjolle, Dani Olmo, është shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes në suksesin 2-1 kundër Gjermanisë në Shtutgart në çerekfinale.
Para takimit, ai ishte në balotazh me Pedrin, por në fund De la Fuente vendosi për Pedrin. Me dëmtimin e mesfushorit të Barçës, De la Fuente i besoi një vend pikërisht yllit të Lajpcigut. Dani Olmo nuk ka zhgënjyer. Ai ka qenë protagonisti kryesor i Spanjës. Fillimisht ka shënuar golin e 1-0 pas një asisti të Lamine Jamal. Ndërsa në minutën e 119-të i dhuroi topin Mikel Merinos që shënoi golin e fitores 2-1 të Spanjës. Dani Olmo i ka bërë në këtë mënyrë një dhuratë aspak të këndshme trajnerit që i dha mundësinë të debutonte me Lajpcigun në vitin 2020, Juliën Nagelsman.
Një dhuratë mjaft e hidhur duke eliminuar Gjermaninë. Ai ka folur për mediat spanjolle, duke komentuar fitoren ndaj të zotëve të shtëpisë dhe paraqitjen e tij. “Jam vërtet i lumtur. Është një burim krenarie, çfarë ekipi të madh kemi, si kemi luftuar deri në fund. Është e pabesueshme, ndiej shumë gëzim. Ky nuk është kampionati i Dani Olmos, ky është kampionati i të gjithëve, grupi është gjëja më e rëndësishme te kjo Spanjë. Le të shpresojmë që dëmtimi i Pedrit të jetë vetëm një goditje, sepse ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Kjo fitore është për të.
Le të shkojmë në gjysmëfinale dhe të përpiqemi të kapim finalen”, deklaroi Dani Olmo. Në fund, mesfushori i Spanjës ka nënvizuar se tashmë është momenti për të festuar edhe pse gjysmëfinalja është te dera, të martën e ardhshme. “Në ato ndeshjet e fundit kur trupi nuk mundet, ne shkojmë me zemër. Do të festojmë dhe shijojmë këtë sukses, por me qetësi sepse pas 4 ditësh kemi ato gjysmëfinale”, deklaroi Dani Olmo.
PANORAMASPORT.AL