Federata Spanjolle ka konfirmuar zyrtarisht sot situatën e dëmtimit të mesfushorit Pedri. Ky i fundit mori një goditje që në minutat e parë të ndeshjes mes Spanjës dhe Gjermanisë nga Toni Kros dhe nuk ia doli të vazhdonte më sfidën.
Një situatë e pafat për lojtarin i cili ka vuajtur shpesh dëmtimet e gjata dhe kështu do të ndodhë përsëri. Federata konfirmoi nëpërmjet një njoftimi se Pedri kishte një ndrydhje të gjurit të shkallës së dytë, gjë që kërkon pushim mes 4 dhe 6 javëve.
Kësisoj, Europiani për të është mbyllur para kohe, ndonëse mesfushori do të mbetet pjesë e delegacionit të iberikëve për sa kohë që këta të fundit janë në garë në turne. Njëkohësisht, pritet që për shkak të dëmtimit, Pedri të mungojë edhe në fazën përgatitore me Barcelonën e kësisoj edhe në ndeshjet e para të sezonit të ri me katalanasit.
PANORAMASPORT.AL