Pesë nga dhjetë skuadrat që do të garojnë në Superligën e Kosovës në futboll në edicionin 2024-25 janë pa stadiume dhe ndeshjet do t’i zhvillojnë në fusha jo adekuate, përkatësisht në ato që shfrytëzohen për stërvitjet e shumë skuadrave.
Klubet si Drita, Gjilani, Prishtina, Ferizaj e Suhareka vazhdojnë të përballen me këtë problematikë të madhe dhe përfaqësuesit e këtyre klubeve kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë pasi kjo po i penalizon ato si në aspektin sportiv edhe në atë financiar.
Trajneri i Ferizajt, Arsim Abazi thotë se ata në shumë raste janë të detyruar t’i ndalin stërvitjet para kohe për shkak të terminëve që kanë klubet tjera në të njëjtën fushë.
Abazi: Kemi nevojë urgjente për stadium
“Ne vetëm këtë fushë e kemi, këtu stërviten të gjitha ekipet, këtu zhvillohen të gjitha ndeshjet…Prej orës tetë në mëngjes deri në orën tetë në mbrëmje kjo është e ngarkuar vazhdimisht. Kemi probleme për fushë, por shpresat janë, kryetari i komunës na ka premtuar që këtë vit fillon stadiumin e ri, po presim ne me dëshirë që ta kemi. Në Superligë jemi Ferizaji dhe na duhet më tepër të jemi në fushë, por ne nuk po mundemi për shkak të klubeve të tjera dhe po na duhet që sa më shpejtë ta përfundojmë stërvitjen”, tha Abazi.
Edhe drejtori i Dritës, Feti Murseli thotë për KosovaPress se mungesa e stadiumit po i shkakton dëme të mëdha edhe financiare klubit.
Murseli: Mungesa e stadiumit po na penalizon edhe në aspektin financiar
“Nuk është viti i parë që po e kalojmë këtë periudhë të vështirë në mungesa të stadiumit dhe infrastrukturës në qytetin tonë të Gjilanit. Është shumë e vështirë, e kemi përsëritur shumë herë, po na penalizon për shumë gjëra, si për ekipin e parë për stërvitje, për mungesën e zhveshtoreve, zyreve. Po ashtu po na penalizon edhe në pjesën financiare, nuk po e kemi mundësinë për të bërë reklama të mira për sponzorisues, për investitorë, shitjen e biletave e të gjitha të tjerat që përcillen në këtë drejtim”, ka thënë Murseli.
Kurse, menaxheri i klubit të futbollit Gjilani, Drilon Sylejmani
Sylejmani: Në mungesë të stadiumit po e pësojmë rëndë edhe në shitjen e biletave
“Natyrisht humbjet janë të mëdha si në aspektin sportiv edhe në atë financiar pasi që kemi humbje të mëdha të reklamuesve potencial dhe po ashtu edhe të shitjes së biletave. Mirëpo, mund t’ua konfirmoj që edhe në aspektin sportiv është një vështirësi mjaftë e madhe organizative dhe gjithçka tjetër. Po ashtu duhet potencuar që kemi pasur jo pak probleme edhe me lëndimin e futbollistëve në fushën sintetike gjë e cila na ka penguar jashtëzakonisht shumë”, ka deklaruar Sylejmani.
Sylejmani gjithashtu ka bërë të ditur se punimet në stadiumin e Gjilanit janë pezulluar përsëri dhe kjo për shkak se njëri nga ofertuesit është ankuar dhe nuk dihet se kur do të nisin punimet në ndërtimin e tij.
Ndryshe, edicioni i ri garues i Superligës së Kosovës në futboll do të nis me 10 gusht, derisa Ferizaj dhe Suhareka janë dy skuadrat e reja që janë inkuadruar në Superligë nga Liga e Parë.