Dani Olmo sheh një tjetër finale të parakohshme në gjysmëfinale, ku Spanja do të ndeshet me Francën. Për të, “gjelat” mbeten skuadër e madhe, ndonëse nuk kanë bindur deri tani në Euro 2024.
Dani Olmo ishte njeriu i ndeshjes për Spanjën në ndeshjen kundër Gjermanisë, me një gol dhe një asist në minutën e fundit të shtesës, që solli fitoren 2-1 dhe kualifikimin në gjysmëfinale. Ajo ndeshje u cilësua si finale e parakohshme, por mesfushori spanjoll sheh si të tillë edhe përballjen me Francën, kundërshtari i gjysmëfinales, që Olmo e konsideron si një nga skuadrat më të mëdha.
“Në fund të ditës, Franca është gjithmonë aty. Edhe pse nuk ka luajtur aq mirë në këto ndeshje, mbetet një nga skuadrat më të mëdha. Nuk kanë ardhur deri këtu rastësisht. Ndonëse kanë shënuar pak gola, janë në gjysmëfinale për një arsye. Mendoj se do të jetë një tjetër finale, sepse ua dimë nivelin që kanë. Ne kemi ecur mirë dhe duhet të vazhdojmë të përmirësohemi në të gjitha aspektet. I njohim shumë mirë dhe do të jemi gati për gjithçka”, tha Olmo.
Futbollisti i Laipcigut është një nga emrat në listën e trajnerit të Barcelonës, Hansi Flick, dhe ka një klauzolë lirimi që skadon më 15 korrik.
“Tani jam i përqendruar te evropiani. Nuk shqetësohem për klauzolën. Flikun e njoh mirë, është një trajner shumë i mirë, të shohim se si do të ecë te Barcelona. Por në listën e tij mund të ketë edhe shumë lojtarë të tjerë, ndaj nuk do të thotë shumë”, pohoi mesfushori.