Pas 16 vitesh si protagonist absolut dhe njeriu i golave që sjellin trofetë final, Angel Di Maria, do të përshëndesë Kombëtaren e Argjentinës, pas Kupës së Amerikës. Sulmuesi anësor, tashmë 36-vjeçar do t’i japë fund aventurës së tij me fanellën e kombit të tij, por kërkon që ta mbyllë me festë dhe me mbrojtjen e fronit të këtij turneu.
Di Maria, i cili po mediton se çfarë do të bëjë edhe në karrierën e tij me klubet, ndonëse ka edhe një tjetër vit kontratë me Benfikën, pritet që të rikthehet titullar ndaj Kanadasë, në të gdhirë mes të mërkurës dhe të enjtes shqiptare (ora 3:00) dhe kjo shihet edhe nga motivimi i tij absolut, me deklaratën përpara sfidës që të dhuron biletën e finales.
“Kanadanë tashmë e njohim shumë mirë, duke qenë se me ta u ndeshëm edhe në fazën e grupeve dhe i mundëm 2-0. Edhe pse ata kanë bërë me të vërtetë një rrugëtim fantastik dhe pak e kishin menduar të tillë, kam dëgjuar se pasi morën një leksion në grup, tani mendojnë se janë në nivelin tonë, por gabohen. Madje unë jam gati që të garantoj se për Kanadanë në gjysmëfinale, çdo sekondë e lojës do të jetë më e frikshme se tjetra, pasi ne duam që të shkojmë në finale dhe askush nuk do të na pengojë që të arrijmë objektivin tonë.
Unë jam më i karikuar se kurrë, duke qenë se këto që më presin do të jenë dy ndeshjet e mia të fundit dhe pa dyshim që dua ta mbyll me Kupën e Amerikës karrierën time me kombëtare. Unë njeriu i golave të finaleve? Këtë herë do të kënaqem edhe me një gol në gjysmëfinale, por e ritheksoj, nëse trajneri Skaloni do, unë ndihem më në formë se kurrë. Madje, pas paraqitjes jo të mirë me Ekuadorin e kam parë grupin shumë të motivuar, ndaj këtë herë ndaj Kanadasë nuk do t’i falemi lotarisë së penalltive për t’u kualifikuar, por duam ta presim shpejt biletën për në finale”, tha njeriu i 143 ndeshjeve dhe 31 golave me Argjentinën.
JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL