Kryetrajneri i Llapit të Podujevës, Tahir Batatina dhe futbollisti Ilir Krasniqi, shprehen optimistë për ndeshjen ndaj Wisla Krakow.
Batatina dhe Krasniqi u prononcuan për pritshmëritë e tyre për ndeshjen.
Batatina theksoi rëndësinë e ndeshjes që e pret skuadrën të enjtën mbrëma dhe tha se ekipi ka punuar maksimalisht gjatë përgatitjeve për t’iu qasur ndeshjes në mënyrën më të mirë.
Ndër të tjerash, Batatina dha se mirëpret numrin e madh të shikuesve dhe se me atmosfera të tilla, ai dhe ekipi janë mësuar, pasi që edhe klubi ynë ka zhvilluar ndeshje të mëdha dhe me numër të madh të publikut.
Tekniku llapjan potencoi se favorit në këso ndeshje nuk ka dhe se ekipi do të hyj në fushë për ta dhënë maksimumin dhe për të arritur rezultat pozitiv para ndeshjes kthyese.
Në anën tjetër, mbrojtësi, Ilir Krasniqi tha se ekipi ka analizuar në detaje ekipin kundërshtar dhe janë përgatitur në mënyrën më të mirë për të arritur rezultat pozitiv. Krasniqi theksoi se kundërshtari ka traditë dhe do e respektojnë, por në fushë, ai dhe ekipi, do dalin për të triumfuar.
Pas konferencës, ekipi ka zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes së raundit të parë kualifikues të UEFA Europa League, ndaj Wisla Krakow, e cila zhvillohet nesër në ora 20:30 në Reymana Stadium, Krakow.