Kampionati Europian pritet të luajë të dielën në mbrëmje në Berlin aktin e fundit. Spanja dhe Anglia do të ndajnë mes tyre trofeun më të rëndësishëm kontinental në nivel ekipesh kombëtare.
Pavarësisht se është një finale e gjitha për t’u luajtur, ekipet kanë nisur të mendojnë dhe për festimet e mundshme në rast suksesi. E para Spanja. Siç bëjnë me dije mediat spanjolle, Federata Spanjolle e Futbollit po planifikon një festë madhështore në Madrid në rast të një suksesi të dielën në mbrëmje në kryeqytetin e Gjermanisë. Sipas gazetës “Marca”, Spanja duket se ka zgjedhur të festojë pikërisht siç ka bërë Reali i Madridit, duke zgjedhur sheshin pranë shatërvanit në “Cibeles”.
Pikërisht në këtë shesh, Reali i Madridit festoi dy trofetë e fituar në këtë sezon, titullin në La Liga dhe Ligën e Kampioneve. Me sa duket edhe Federata Spanjolle e Futbollit ka zgjedhur të njëjtin vend për të festuar. Por fillimisht pritet triumfi në Berlin.
PANORAMASPORT.AL