Çiro Imobile është dhe do të mbetet gjithmonë një legjendë e klubit të Lacios. Sulmuesi italian, kaloi disa nga momentet më të bukura të karrierës te klubi lacial, ku arriti të fitonte në një sezon edhe “këpucën e artë”, çmim që i jepet golashënuesit më të mirë të kampionateve në Europë.
Tashmë, Imobile duhet t’i thotë lamtumirë të kaltërve, teksa do të vazhdojë një aventurë të re larg Romës. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ish-kapiteni i Lacios mbanë një fjalim, ku i falenderon të gjithë për këto vite që kaloi te ky klub, ku gjithashtu premton se shpirti i tij do mbetet gjithmonë afër tij:
“Të dashur miq nga Lacio, ne zgjodhëm këtë lokacion sepse gjithçka filloi nga këtu, ky ishte vendi im në dhomat e zhveshjes, ku ndërtuam fitoret dhe gëzimet tona, pikërisht nga këtu. Unë jam i rrethuar nga kaq shumë emocione brenda meje dhe mendoj se këto dy-tre ditët e fundit, duke marrë një vendim kaq të vështirë, nuk kanë qenë më të mirat për mua. Në fund fola me presidentin, mendoj se vendimi im u pranua. Si të gjitha gjërat, ka një fillim dhe një fund, edhe nëse ky është fundi i një aventure të bukur. Ndonjëherë jeta ju sjell zgjedhje, mendova se ishte e drejtë. I falënderoj të gjithë: presidentin, drejtorët, trajnerët, sidomos shokët e skuadrës që më lejuan të bëhem ky që jam në këtë klub. Faleminderit dhe përqafimi më i madh shkon për të gjithë tifozët, për njerëzit e Lacios që më bënë të ndihem si në shtëpinë time që nga dita e parë. Ne kemi pasur një rrugëtim të jashtëzakonshëm rritjeje së bashku në këto tetë vjet. Roma është bërë shtëpia e dytë për mua dhe për familjen time. Do të kisha dashur t’ju përqafoja një nga një, por gjërat ecin shpejt në treg dhe vendimet duhet të merren në momente të vështira.
Është e drejtë që ne të shohim përpara dhe të kemi një përvojë të re. Ne do të mbetemi të lidhur për jetën me këtë fanellë, me këtë klub, me këta njerëz që na deshën dhe vlerësuan aq shumë. Duhet të shoh djemtë e rinj dhe të flas me shokët e mi të vjetër. I pashë të gjithë të emocionuar, me siguri ka një atmosferë pasigurie. Ne filluam sërish dhe e bëmë histori me Lacion vitet e fundit. E pashë këtë përsëri, kur ka një revolucion kaq të madh, besoj se ekipi, klubi dhe të gjithë duhet të kenë dashurinë e njerëzve. Ndihmojini edhe këta djem të rinj, i pashë shumë të emocionuar për të përballuar një sezon kaq të vështirë. Fola edhe me trajnerin, ai e pranoi vendimin tim, por gjithashtu më tha se do të kishte dashur të punonim së bashku, por ai pranoi atë që vendosa me familjen time.
Le të qëndrojmë pranë tij, keni një sezon të rëndësishëm përpara jush. Nuk ka kuptim të shqyrtojmë atë që bëmë së bashku. Kam tre ditë që shikoj video dhe lexoj letra. Dashurinë që më keni treguar në këto ditët e fundit por jo vetëm. Mendoj se ka ardhur koha të them jo lamtumirë, por mirupafshim, kjo do të mbetet gjithmonë shtëpia ime. Dua t’ju dërgoj një përqafim të madh nga unë dhe Xhesika. Edhe ajo ishte pjesë e pandashme e familjes Lacio. Të përqafoj, do të bëj tifo për ty. Unë jam një tifoz i Lacios. Ju dërgoj një përqafim të madh, shpresoj të shihemi së shpejti.”
SONI SALIHI-PANORAMASPORT.AL