Historisë mes Bayern Munih dhe Kingsli Koman duket se i ka ardhur fundi. I mbërritur në Bavari vitin 2015 nga Juventusi, ylli parisien po rikthehet nga një sezon shumë i komplikuar.
Dëmtimet kanë rezultuar pengesë për 28-vjeçarin, teksa ka shënuar vetëm 5 gola dhe 3 asistime në 27 paraqitje në të gjitha garat për klubin bavarez.
Ndërsa aventura në “Euro 2024” ishte padyshim më e tmerrshme, me vetëm 15 minuta të grumbulluara në kombëtare.
Kontrata me Bajernin zgjat deri në vitin 2027, por synimi i gjermanëve është ta shesin sa më shpejtë. Në fakt, sipas asaj që u zbulohet nga “L’Équipe”, trajneri i ri Vinsent Kompani nuk dëshiron të fokusohet te Koman, në lidhje me ciklin e ri fitues te Bajerni.
Tekniku belg dhe shefat e klubit janë duke u fokusuar te futbollist të tjerë dhe në këtë panoramë, të ardhurat nga shitja e francezit do i ndihmonin në spektrin financiar.
Deri në mbylljen e afatit kalimtar të merkatos verore, klubi më i titullar në Gjermani dëshiron të marrë të paktën 50-60 milionë euro nga shitja e Kinsli Koman. Aludohet nga Franca se PSG është ende e interesuar për shërbimet e sulmuesit anësor dhe mund të ketë lëvizje konkrete në ditët e ardhshme.