Edhe pse kërkoi falje dhe shprehu keqardhje, veprimi i pamatur i futbollistit të Shqipërisë, Mirlind Daku gjatë Evropianit “Gjermania 2024”, po komentohet ende në Rusi, vend ku sulmuesi bën karrierë në nivel klubesh.
Daku ishte dënuar nga UEFA me dy ndeshje moslojë për shkak se pas barazimit 2:2 me Kroacinë mori megafonin dhe nxiti një këngë fyese ndaj serbëve dhe maqedonasve.
ADVERTISEMENT
Klubi i tij, Rubin Kazani ka paralajmëruar dënim për Dakun por ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar deri më tani.
Ndërkohë, së fundmi për veprimin e Dakut ka folur edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Rusisë, Aleksandr Dyukov, i cili ka lënë të kuptohet se sulmuesi do të dënohet.
“Kjo gjithsesi është e padëgjuar dhe e papranueshme. E di që Rubini do të marrë masa ndaj lojtarit”, ka thënë Dyukov për agjencinë ruse TASS.
Daku ka kontratë me Rubin Kazanin deri në vitin 2026, ndërsa në Rusi u transferua verën e shkuar.