Mungesa e agresivitetit, por edhe qasja e gabuar në fillim të ndeshjes, ishin nga arsyet kryesore për disfatën e djeshme ndaj Sllovan Bratisllava në Ohër.
Ishte ky konstatimi i trajnerit të Struga Trim Lum, Qatip Osmani, i cili si një sportist i vërtetë i uroi ekipit kundërshtarë suksese në ndeshjet e mëtujeshme në eliminatoret e Ligës së Kampionëve.
“Fillimisht hyrja në lojë ishte e gabueshme, nuk ishim të qartë në pozicionimet tona, që do bënte ta kërkojmë lojën një me një, mendoj se edhe prej atij gabimi, pësuam edhe golin e parë, ndërkohë prej atij aksioni ku nuk i mbuluam mirë vijat e mesit të kundërshtarit, erdhi edhe goli i dytë, që na ndëshkoi rëndë” – u shpreh fillimisht trajneri Qatip Osmani, duke pranuar se sot ekipit i mungoi agresiviteti në fushë, por edhe disa elemente tjera, në të cilat skuadra strugane çaloi.
“Na mungoi agresiviteti në këtë ndeshje, sidomos në pjesën e parë, ku Sllovan Bratisllava, si në duele ishte edhe më e shpejtë edhe më agresive, nuk i di statistikat, por edhe në dy luftimet ata ishin bindshëm më të mirë se ne, ashtu që mendoj se kjo është edhe arsyeja pse e humbën ndeshjen, ndërkohë ekipit të Sllovanit i uroj suksese në ndeshjet e mëtutjeshme.” – tha trajneri Qatip Osmani në Konferencën për shtyp të organizuar me gazetarët menjëherë pas përfundimit të ndeshjes.
Rrugëtimi europian i Struga Trim Lum tashmë do të vazhdojë në Ligën e Konferencës, aty ku në kuadër të turit të dytë eliminatorë do të përballen me përfaqësuesin armen të Pjunik.
Ndeshjen e pare Struga Trim Lum do ta zhvillojë si vendas me datë 25 korrik, ndërsa atë kthyese me 1 gusht në terren mysafir.