Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, ka bërë një kthesë të madhe duke e vlerësuar lartë anësorin anglez, Jadon Sancho, si “jashtëzakonisht i mirë”.
Reprezentuesi i Anglisë udhëtoi të shtunën për në Edinburg dhe u përfshi në formacionin titullar të United në ndeshjen miqësore para-sezonale kundër Rangers.
Sancho luajti 45 minutat e para të ndeshjes, ku Djajtë e Kuq arritën një fitore të rehatshme 2-0 falë golave të Amad Diallo dhe Joe Hugill.
Pasi e përfshiu Sancho-n në skuadrën udhëtuese, trajneri Ten Hag kishte deklaruar se klubit i duheshin lojtarë me cilësitë e Sancho-s dhe se ai e konsideronte sulmuesin si “jashtëzakonisht të mirë”.
Dyshja pati një konflikt publik në gusht të vitit 2023 dhe lojtari u dërgua më vonë në huazim te Borussia Dortmund gjatë afatit kalimtar të janarit.
Duke folur për gazetarët, trajneri holandez tha, “Ne biseduam mirë. Çdokush mund të bëjë një gabim. Nëse lojtari reflekton mirë mbi atë, atëherë e tërheq një vijë dhe ec përpara. Ky klub ka nevojë për lojtarë të mirë, dhe një gjë është e sigurt Jadon është një lojtar jashtëzakonisht i mirë. Shpresoj që kthimi të ndodhë dhe ai të kontribuojë në suksesin tonë”.