Skuadrat shqiptare, nisin këtë javë raundin e dytë të kualifikimeve për Conference League.
Ekipet kosovare do të kenë punë të vështirë në raundin e dytë.
Ballkani e nis të martën ku pret skuadrën malteze, Hamrun, teksa Llapi dhe Drita luajnë të enjten në transfertë ndaj Brondyt respektivisht, Breidablik.
Trajneri kosovar, Arsim Thaqi në një prononcim për “GazetaBlic Sport” kritikoi paraqitjet e kaluara të skuadrave shqiptare në garat evropiane, teksa tha se Ballkani nuk pati një strategji për ndërrimin e lojtarëve që u larguan nga skuadra.
“Paraqitje jo të mira të ekipeve tona në ciklin e parë të kualifikimeve nga Llapi, Malisheva dhe Ballkani. Ballkanin e kuptoj deri diku pasi ka pasur shumë ndryshime, kurse Llapi mendoj se ka pasur mundësi të paraqitet më mirë. Tash është Conference League, pres nga Ballkani atë që ka bërë vitet e kaluara për ta bërë prapë këtë vit. Megjithatë Ballkani ka bërë shumë ndryshime këtë sezon dhe nuk është Ballkani i viteve të kaluara. Llapi dhe Drita shpresoj që të paraqiten më mirë se vitet e kaluara. Drita gjithmonë ka qenë e pafat në short, mendoj që sërish e ka një kundërshtar të fortë, por Drita përveç rezultatit ka pasur paraqitje të mira, shpresoj që këtë vit ta kaloj këtë xhiro që të shohim se cili kundërshtar do të jetë në xhiron tjetër”, tha Thaqi.
“Jam skeptik që ndonjë nga skuadrat shqiptare të arrij atë që ka bërë në dy vitet e fundit. Ajo që është evidente është që Ballkani nuk pati një strategji për të zëvendësuar lojtarët e larguar sepse mendoj që ka pasur mundësitë financiare, në këtë drejtim kam parë që nuk ka pasur një strategji shumë të mirë për të ardhmen e klubit dhe kjo do t’i hakmerret edhe sa i përket kampionatit, pasi këtë vit ekipet kanë investuar shumë”, shtoi ai.
“Jam shumë skeptik që ndonjë nga këto skuadra do të luaj në grupe të Conference League, duhet të presim të shohim por jam skeptik që ndonjëra nga skuadrat të hyj në grupet e Conference League dhe ta përsërisë atë që ka bërë Ballkani”, përfundoi trajneri kosovar për GazetaBlic Sport.