Tridhjetë e dy vite pas “Ekipit të ëndrrave” të Lojrave Olimpike “Barcelonë 1992” Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të prezantohen përsëri në një event të madh me një skuadër epike.
Në Paris, nofka e ekipit të SHBA-ve në basketboll është “Avengers 2024” ose në shqip “Hakmarrësit 2024” pasi misioni i vetëm i skuadrës të drejtuar nga Steve Kerr është të dominojë rivalët për të fituar medaljen e artë në një sport ku nuk kanë rivalë.
2024 Team USA: Stephen Curry, Anthony Edwards, LeBron James, Kevin Durant, Anthony Davis
Në stol: Tyrese Haliburton, Devin Booker, Derrick White, Jrue Holiday, Jayson Tatum, Bam Adebayo, Joel Embiid
Trajner: Steve Kerr
Titullarët e ekipit aktual janë emra të mëdhenj të NBA. LeBron James është elementi, i cili me intelektin dhe eksperiencën e tij bën që ekipit të mos i mungojë lidershipi dhe organizimi. Ndërsa Curry e kthen këtë skuadër në një makineri pikësh me aftësinë e tij për të shënuar kosha. Anthony Edwards balancon skuadrën në fazën mbrojtëse. Dy elementët e fundit të pesëshes titullare janë Kevin Durant dhe Anthony Davis. I pari është një sulmues i lindur, falë centimetrave është i vështirë për tu mbuluar ndërsa i dyti me bllokimet dhe topat e dytë i jep mundësi të artë skuadrës që të thellojë avantazhin.
1992 Dream Team: Magic Johnson, Michael Jordan, Scottie Pippen, Karl Malone, Patrick Ewing
Në stol: John Stockton, Clyde Drexler, Larry Bird, Chris Mullin, Charles Barkley, Christian Laettner, David Robinson
Trajner: Chuck Daly
“Dream team” i 1992 kishte si organizator një super lojtar si Magic Johnson. Për sulmin mendonte Michael Jordan, i cili konsiderohet si lojtari më i mirë i të të gjitha kohërave. Ekipi balancohej në fazën mbrojtëse nga një tjetër lojtar i Bulls-ave si Scottie Pippen. Karl Malone shtonte centimetrat dhe kiloegramët në sulm ndërsa Patrick Ewing me bllokimet dhe topat e rikuperuar në tabelë ishte një “Zot” në zonat e ngushta.
Dallimi mes dy skuadrave është i madh. Ekipi aktual rrealizon kosha nga e gjithë fusha ndërsa skuadra e 1992-it ishte një formacion fizik dhe shkonte te koshi me pasime të shumta.