Skuadra e Llapit ka pësuar humbje të thellë në ndeshjen e parë ndaj Brondbyt në kuadër të rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Në duelin e luajtur të enjten në Danimarkë, Llapi u mposht me rezultatin 6:0 dhe gjasat janë të vogla që ekipi nga Kosova të bëjë diçka më shumë në ndeshjen e kthimit që e luan javën tjetër në Podujevë.
Në të vërtetë, Brondby i dha fund dilemës së fituesit qysh në pjesën e parë kur shënoi katër herë për t’i dhënë fund shpresave të Llapit për të bërë diçka më tepër në këtë përballje.
Rezultati i ndeshjes u zhbllokua në minutën e 16-të kur Yuito Suzuki shënoi për epërsinë fillestare të Brondbyt.
Katër minuta më vonë, epërsinë e vendasve e dyfishoi Ohi Omoijuanfo përpara se ët realizojjnë edhe Filip Bungart (24’) e Noah Teye Nartey (40’) për ta mbyllur pjesën e parë me shifrat 4:0.
Në pjesën e dytë, Brondy shënoi edhe dy gola të tjerë për ta vulosur fitoren dhe avancimin në rrethin e tretë kualifikues.
Në minutën e 88-të, për rezultatin 5:0 shënoi Mathias Kvistgaarden kurse dy minuta më vonë fitoren e thellë e konfirmoi Oscar Schwaratau.
Dueli i kthimit mes këtyre dy skuadrave luhet javën tjetër në Podujevë por nuk do të ketë ndonjë rëndësi të madhe për shkak se Llapi do ta mbyll aventurën evropiane.
Llapi garat evropiane këtë edicion i filloi në Ligën e Evropës por u eliminua në rrethin e parë kualifikues nga Wisla Krakow për të vazhduar aventurën në Ligën e Konferencës.