Robert Levandovski është gati për të nisur sezonin e tij të tretë te Barcelona. Pas një sezoni të parë të mrekullueshëm ku arriti të ndihmonte ekipin të fitonte titullin në La Liga, sezoni i dytë ka qenë zhgënjyes për të.Por ai ka shërbyer dhe si një shtysë më shumë për të bërë gjithçka ndryshe në këtë sezon të tretë, me Barçën që do të kërkojë të rivalizojë Realin dhe të shkojë sa më larg edhe në Europë. Polaku shpreson të kontribuojë me përvojën e tij në një projekt të rinovuar me një trajner të cilin e njeh në mënyrë të përsosur nga koha e tij te Bajerni. Por ai ka pasur dhe një premtim për të gjithë tifozët e Barçës.
“Jam i sigurt se mund të shënoj më shumë gola se vitin e kaluar”, tha ai në prag të ndeshjes së dytë miqësore kundër Milanit. I përfshirë shumë në punën e përditshme, Leva konsideron se është e rëndësishme të merret me planin e trajnerit të ri.
TRAJNERI I RI “Jam i sigurt se së bashku mund të punojmë shumë mirë. Si gjithmonë me një trajner të ri ka dhe ide të reja. Për ne është koha të kuptojmë se ku duam të shkojmë, në çfarë drejtimi dhe me çfarë sistemi”, shtoi ai. Ajo që ai ka të paprekur është ambicia e tij.
“Nëse je lojtar i Barcelonës, gjithmonë dëshiron të fitosh dhe në fund të sezonit të fitosh një trofe. Këto gjëra i ke në kokën tënde, por që në fillim gjëja më e rëndësishme është të dish çfarë duam të bëjmë në stërvitje dhe ta transferojmë te shokët e ekipit”. Kur flet për idetë e reja, për trajnerin e ri, Levancdovski e ka fare mirë parasysh për çfarë bëhet fjalë. Nga lojtarët e Barcelonës ai e njeh më mirë se kushdo Hansi Flikun, ndaj flet me bindje për teknikun gjerman.
“Me Hansin (Flikun) ne gjithmonë duhet të shikojmë përpara, të luajmë më shumë në sulm, por secili trajner ka idenë e tij. Dhe ne kemi kohë për të kuptuar se ku duam të shkojmë. Më parë ideja ishte të shkonim gjithmonë përpara, të shënonim shumë gola, por në futboll është gjithashtu e rëndësishme të kemi një ekuilibër midis sulmit dhe mbrojtjes”, theksoi Levandovski.
ZHGËNJIMI Sulmuesi 35-vjeçar nuk ka kursyer as veten kur vjen puna për paraqitjen.
“Sezoni i kaluar nuk ishte perfekt as për ne, as për mua personalisht. Ne jemi Barcelona dhe duhet të bëjmë një hap përpara, jo vetëm unë por edhe si ekip. Me një trajner të ri ka gjithmonë një ide të reja dhe në fushë duam të luajmë mirë dhe të fitojmë. E rëndësishme është se si luajmë në fushë, nuk ka rëndësi kundër kujt”. Edhe pse ai e njeh Flikun nga koha e tij te Bajerni, sulmuesi paralajmëron: “Unë shoh gjëra të reja, edhe në planin fizik. Në futboll nuk mund të krahasosh futbollin e sotëm me dhjetë vjet më parë. Tani ne bëjmë gjëra të ndryshme nga më parë. Por ne punojmë shumë fort. Me seanca të dyfishta na duhen ndjesi të mira në këmbë dhe besim në fushë”. Në intervistën për “Mundo Deportivo”, Levandovski është ngacmuar edhe në lidhje me merkaton. Por ai ka zgjedhur të qëndrojë jashtë. “Nuk më pëlqen të flas për lojtarë të rinj që nuk janë pjesë e ekipit. Jam i sigurt që presidenti po punon për transferime. Në fund të fundit do të kemi një skuadër shumë të mirë”.
SHIRITI DHE RIVALITETI Levandovski ka lënë mënjanë edhe çështjen e kapitenit: “Ka shumë lojtarë që nuk janë këtu. Për mua, për shkak të moshës dhe përvojës time, mendoj se gjëja më e rëndësishme është të mendoj çdo ditë se çfarë mund të bëj për ekipin apo për klubin. Unë kam qenë në skuadër për dy vjet, ndihem shumë i lumtur dhe çështja e kapitenëve tani nuk është koha, sepse jo të gjithë lojtarët në skuadër janë të pranishëm”. Levandovski ka folur edhe për rivalitetin me Realin dhe Kilië Mbapenë në sezonin e ri.
“Nuk mendoj se unë dhe Mbape jemi lojtarë të ngjashëm. Jemi sulmues të dy, por me natyra krejt të ndryshme. Ai luan në një pozicion tjetër dhe ka një stil tjetër, por ai është një lojtar shumë i mirë. Fakti që Reali ka fituar Ligën dhe Ligën e Kampioneve në sezonin e kaluar duhet të na shërbejë si një shtysë, si një motivim për ne. Nëse besojmë te vetja mund të aspirojmë të mposhtim Madridin”. Këtë mesazh ai e ka për shokët e ekipit dhe për veten. “Jam i sigurt që do të shënoj më shumë gola se vitin e kaluar. Mendoj se nëse luajmë më mirë, do të shënoj më shumë gola. Do të jetë një zgjidhje për ekipin”. Në fund, leva ka përmendur dhe ish-trajnerin Ksavi. “Unë do të them gjithnjë gjërat e mira që ai ka bërë për këtë klub. Njerëzit e dinë se sa e vështirë ishte situata dhe ai gjithmonë donte të stërvitej këtu”.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL